Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore në Prishtinë, një ditë pas zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Protesta është paralajmëruar të mbahet të premten, më 18 shtator, nga ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu”.
Gazmend Syla nga OVL-UÇK tha se organizatat e dala nga lufta e konsiderojnë vendimin e fundit si të padrejtë dhe kundërshtuan, siç tha ai, përpjekjet për të vendosur në të njëjtën peshore luftën e UÇK-së dhe zhvillimet e viteve 1998-1999.
“UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale, kjo ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje. Asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri”, tha Syla.
Ai tha se organizatat e dala nga lufta do të kërkojnë koordinim më të gjerë institucional e shoqëror, përfshirë edhe përfaqësues nga jashtë Kosovës.
“Kësaj padrejtësie që iu bë drejtuesve të luftës së UÇK-së do t’i përgjigjemi me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe të një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, por edhe shqiptarët e tjerë që jetojnë në viset e tjera, qoftë Mali i Zi, qoftë Lugina e Preshevës, por edhe nga mërgata jonë”, deklaroi ai.
Syla bëri të ditur se kjo platformë do të synojë edhe përfshirjen e institucioneve dhe subjekteve politike në veprimet që organizatat e dala nga lufta planifikojnë të ndërmarrin gjatë procesit të apelimit.
“Do të kërkojmë krijimin e një strategjie kundërshtuese ndaj këtij vendimi deri në përfundim të procesit të apelit, ku kërkojmë përfshirjen e institucioneve tona, partive parlamentare, shoqërisë civile, institucioneve të tjera të cilat do të mund të kontribuonin në këtë drejtim”, tha Syla.
Ai njoftoi gjithashtu se sot në orën 16:30 OVL-UÇK dhe disa shoqata të familjeve të dëshmorëve dhe të invalidëve do ta prezantojnë platformën e tyre, ndërsa paralajmëroi pjesëmarrjen e tyre edhe në aktivitetin e studentëve.
“Organizatat e dala nga lufta sot në takimin që mbajtëm pak më herët me këshillin drejtues morëm vendim që të thërrasim protestë gjithëpopullore nesër në ora 12:00 në sheshin Skënderbeu”, tha ai.
Sipas Sylës, protesta e së premtes është pjesë e një reagimi më të gjerë të organizatave të dala nga lufta ndaj zhvillimeve në proceset gjyqësore që lidhen me ish-pjesëtarët dhe drejtuesit e UÇK-së.
“Ju e dini, nuk është vendimi i padrejtë vetëm ky i djeshmi, bashkëluftëtarët tanë, ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë bukur gjatë kohës nën goditjet me ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi Syla.

