Friday, September 18, 2026
HomeGjeopolitikOpinion“Miopët” e politikës — kur servilosja vishet si strategji

“Miopët” e politikës — kur servilosja vishet si strategji

Zejdush Kastrati

Kur njerëz që mbajnë poste të larta politike, të zgjedhur nga populli, por edhe disa zëra të opinionit publik, dalin me mllef e kërkojnë me ngulm që Hashim Thaçi të zgjidhet president i Kosovës, atëherë ke të drejtë të pyesësh: a po flasim për politikë, apo për një garë të re servilosjeje?

Sepse, kur politika trajtohet si hobi, biznes, mundësi për përfitime personale e klanore, atëherë Kosova dhe interesat e saj mbeten diku në fund të listës.E kjo është ajo që të shqetëson.

Një gjë, megjithatë, duhet pranuar: Hashim Thaçi ka qenë dhe mbetet një lider politik. Këtë mund ta pëlqesh ose jo, por nuk mund ta fshish nga historia politike e Kosovës.

Para luftës, gjatë luftës dhe pas saj, Thaçi ishte njëri prej protagonistëve kryesorë të politikës kosovare. Edhe kur ishte në opozitë, ndikimi i tij ishte i madh.

Por pastaj ndodhi ajo që ndodhi.

Ai vetë kontribuoi në themelimin e Gjykatës Speciale. Ajo Gjykatë e gjykoi dhe tashmë ka nxjerrë vendim ndaj tij.

Mund të kemi mendime të ndryshme për procesin, mund të kemi dilema, mund të kemi argumente juridike dhe politike për t’i kundërshtuar vendimet e saj. Por një gjë është e qartë: vendimet e gjykatave nuk bëhen të pranueshme vetëm atëherë kur na pëlqejnë.

Nëse kemi kërkuar drejtësi, duhet të dimë edhe ta përballojmë vendimin e saj.

Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi.

Në momentin kur Thaçi ndodhet në burg dhe mbi të rëndon një vendim gjykate, disa politikanë na dalin përpara me idenë se zgjidhja është: ta bëjmë president të Kosovës!

Seriozisht?!

Çfarë po i ofrojnë kështu Thaçit?

Një post që nuk mund ta ushtrojë?

Një presidencë brenda burgut?

Një krizë të re institucionale?

Apo thjesht një spektakël politik për konsum të brendshëm?

Sepse, nëse qëllimi është vërtet ndihma ndaj Hashim Thaçit, atëherë rruga është krejt tjetër.

Thaçi nuk ka nevojë për poste. Nuk ka nevojë për deklarata patetike. Nuk ka nevojë për puthadorë që çdo ditë zbulojnë një mënyrë të re për t’i thënë “Jam me ty ”.

Ai nuk ka nevojë as për PR. Për këtë pjesë, historikisht, nuk ka pasur mungesë.

Ka nevojë për punë konkrete.

Për angazhim institucional e juridik. Për argumente. Për dëshmi. Për fakte. Për një apelim serioz dhe profesional. Për një mbrojtje që nuk bëhet me duartrokitje në studio televizive, por me dokumente, prova dhe argumente aty ku vendoset për fatin e një e tij .

Jo me parrulla. Me argumente.

Sepse Kosovës, në këtë moment, më së paku i duhet një president në burg.

Një president i dënuar.

Një president prapa grilave.

Një president që do të ishte objekt përplasjesh të pafundme me faktorin ndërkombëtar.

Dhe këtë nuk po e them për t’i bërë nder dikujt tjetër. Përkundrazi.

Po e them sepse Kosova nuk është laborator ku politikanët mund të bëjnë eksperimente sa herë u teket.

Institucionet e shtetit nuk janë lodra politike.

Kushtetuta nuk është dekor.

Dhe Kosova nuk mund të përdoret si skenë ku secili kërkon të dëshmojë se kush është më besnik ndaj një lideri të dikurshëm.

Thaçi ka pasur pushtet më shumë se pothuajse kushdo tjetër në Kosovën e pasluftës. Ka qenë në qendër të vendimmarrjes për vite me radhë.

Nuk besoj se sot problemi i tij është mungesa e një posti.

Problemi i tij është shumë më serioz.

Prandaj, ata që pretendojnë se po e ndihmojnë, do të duhej të mendonin dy herë para se të hidhen në aventura të tilla.

Sepse, ndonjëherë, mënyra më e keqe për ta ndihmuar dikë është t’i ofrosh pikërisht atë që e fut edhe më thellë në telashe.

E në këtë rast, nuk është vetëm Thaçi në lojë.

Është Kosova.

Dhe këtu “miopia” politike bëhet edhe më e rrezikshme.Sepse kur nuk sheh përtej interesit të ditës, kur nuk dallon shtetin nga klani, institucionin nga partia dhe interesin publik nga ambicia personale, atëherë nuk je duke bërë politikë.

Je duke bërë zhurmë.

E zhurma nuk ndërton shtet.

Përkundrazi, shpesh është ajo që e çon shtetin në ngërç.

P.S.

Me Hashim Thaçin kam pasur raporte shumë korrekte: unë si gazetar, ai si politikan.

Kam zhvilluar disa intervista me të. Jemi takuar shumë herë rastësisht në Qeveri e Kuvend, ku kam qenë i akredituar si gazetar.

Prandaj, nuk kam asnjë problem ta them publikisht atë që mendoj, edhe kur është kritike. Kritika politike nuk e anulon korrektësinë njerëzore.

Dhe dua ta them edhe një herë, qartë:

Kurrë, ama asnjëherë, nuk i kam kërkuar Hashim Thaçit asnjë favor, ndihmë apo benefit.

Asnjë.

Edhe ditën kur udhëtoi për në Hagë, u takuam shkurt në Presidencë. I urova kthim të shpejtë.

Atë urim e kam ende.

Dhe sot, si atëherë, i uroj të kthehet sa më shpejt në shtëpi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram