Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sonte se po u ndalon “duke filluar menjëherë” mediave CNN, MS Now dhe Politico qasjen në Shtëpinë e Bardhë, duke paralajmëruar se edhe media të tjera do ta ndjekin këtë hap.
Në postimin e tij, Trump argumenton se media “nuk duhet të shkruajë vazhdimisht trillime dhe gënjeshtra kur mbulon Presidentin e Shteteve të Bashkuara, administratën Trump ose Shtetet e Bashkuara”.
Trump ishte veçanërisht kritik ndaj Politico-s, duke pretenduar se gjatë administratës së Joe Biden ai mori një subvencion qeveritar “të paligjshëm” prej 8 milionë dollarësh për të shmangur kolapsin ekonomik, duke folur për “korrupsion”.

Trump u ka kërkuar vazhdimisht rrjeteve televizive të “ndërpresin” programet komike ose lajmesh që nuk i pëlqejnë ose që kanë bërë shaka për të ose kanë kritikuar administratën e tij. Ai gjithashtu i ka kërkuar Komisionit Federal të Komunikimeve të revokojë licencat e stacioneve televizive pasi ka kritikuar mbulimin e tyre të lajmeve ose programe të tjera.
Kohët e fundit, presidenti 80-vjeçar republikan ndaloi agjencinë e lajmeve Associated Press nga Zyra Ovale sepse ajo refuzoi të miratonte emrin “Gjiri i Amerikës” për Gjirin e Meksikës.
Njoftimi i sotëm, pasojat e të cilit nuk janë ende të qarta, vjen në një kohë të vështirë politikisht për Donald Trump. Popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe çmimeve marramendëse të karburantit në SHBA. Amerikanët po e kritikojnë gjithashtu vendimin e tij për të filluar një luftë me Iranin.
Bazuar në sondazhe, Partia Republikane rrezikon të humbasë kontrollin e njërës ose edhe të të dyja dhomave të Kongresit në zgjedhjet e mesit të mandatit më 3 nëntor.

