Saturday, September 19, 2026
HomeSportMaratona “Prishtina 2026”, këto rrugë do të bllokohen të dielën

Maratona “Prishtina 2026”, këto rrugë do të bllokohen të dielën

Policia e Kosovës ka njoftuar se të dielën, do të ketë bllokime dhe kufizime të qarkullimit në disa rrugë në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë, për shkak të organizimit të maratonës ndërkombëtare “Prishtina 2026”.

Sipas policisë, masat do të zbatohen nga ora 09:00 dhe do të jenë në fuqi deri në përfundim të maratonës. Në kuadër të këtij plani, do të ndërpritet qarkullimi i automjeteve në rrugën Prishtinë–Fushë-Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te nyja e kyçjes në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Policia ka bërë të ditur se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve në maratonë, si dhe për menaxhimin dhe orientimin e trafikut gjatë zhvillimit të garës.

Për të shmangur pengesat në komunikacion, drejtuesve të automjeteve u është kërkuar të përdorin rrugët alternative.

Rrugët alternative të rekomanduara janë:

Për ngasësit që udhëtojnë nga Peja në drejtim të Prishtinës: Sllatinë – fshati Magurë – Lipjan, më pas lidhja me rrugën nacionale Ferizaj–Prishtinë.

Për ata që udhëtojnë nga Peja dhe Fushë-Kosova: Sllatinë – Bardh i Vogël – fshati Kuzmin – Fushë-Kosovë.

Për ngasësit nga Prishtina ose Veterniku në drejtim të Pejës dhe Aeroportit: Prishtinë – Lipjan – Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.

Për ngasësit nga Mitrovica në drejtim të Pejës ose Aeroportit: autostrada nga Mazgiti në drejtim të Shkupit, dalje në Lipjan dhe më pas Rufc i Ri – Poturoc – Magurë – Aeroport.

Ngasësit që udhëtojnë nga Mitrovica në drejtim të Ferizajt do të mund të qarkullojnë lirshëm në rrugën nacionale.

Ndërkohë, autobusët e transportit publik në relacionin Prishtinë–Fushë-Kosovë–Aeroport, si dhe në drejtim të Pejës, nuk duhet të qarkullojnë në segmentet e prekura gjatë kohës së garës, por të shfrytëzojnë rrugët alternative.

Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët mirëkuptim dhe respektim të udhëzimeve të zyrtarëve policorë, me qëllim që qarkullimi rrugor të menaxhohet sa më lehtë gjatë zhvillimit të maratonës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram