Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se në Kosovë janë konfirmuar shtatë raste të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor.
Sipas IKSHPK-së, rastet janë konfirmuar gjatë periudhës 7 gusht deri më 18 shtator 2026, në Laboratorin e Mikrobiologjisë të institutit.
Nga shtatë personat e infektuar, pesë janë meshkuj dhe dy femra. Dy raste i përkasin grupmoshës 10 deri në 19 vjeç, ndërsa të tjerët janë të moshave deri në 79 vjeç.
Tri raste janë konfirmuar në Gjakovë, ndërsa nga një rast është regjistruar në Prishtinë, Shtime, Ferizaj dhe Pejë.
Të gjitha rastet janë trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Tre pacientë kanë pasur shenja klinike të meningjitit akut, tre meningoencefalit akut, ndërsa një pacient ka qenë në gjendje febrile.
Gjatë kësaj jave, sipas IKSHPK-së, janë raportuar edhe dy raste të vdekjes të ndërlidhura me infeksionin nga virusi i Nilit Perëndimor.
Nga analiza fillestare nuk është evidentuar lidhje epidemiologjike ndërmjet rasteve, të cilat janë klasifikuar si raste sporadike. Vetëm njëri nga shtatë personat e infektuar ka raportuar se kishte udhëtuar jashtë vendit.
Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), nga fillimi i sezonit të transmetimit në vitin 2026 deri më 10 shtator, në 15 shtete evropiane janë identifikuar 1,285 raste humane të virusit të Nilit Perëndimor.
IKSHPK-ja ka njoftuar se të gjitha Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik kanë komunikuar me komunat përkatëse, me qëllim rritjen e vigjilencës dhe ndërmarrjen e masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit.
Në Gjakovë, ku janë konfirmuar tri raste, një ekip i IKSHPK-së, në bashkëpunim me QRSHP-në e Gjakovës, është angazhuar në terren për vlerësimin dhe hulumtimin e situatës epidemiologjike.
Aktivitete të ngjashme janë zhvilluar edhe në rajonin e Ferizajt, ndërsa Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik kanë planifikuar takime me komunat gjatë javës së ardhshme.
Ndërkohë, në laboratorët e IKSHPK-së po analizohen edhe mostra të tjera të dyshimta dhe po vazhdon monitorimi i situatës epidemiologjike.
IKSHPK-ja u ka bërë thirrje komunave, veçanërisht atyre ku janë konfirmuar raste, që të intensifikojnë masat kundër mushkonjave dhe të eliminojnë vendet ku ato shumohen.
Instituti rekomandon spërkatjen e zonave me prani të shtuar të mushkonjave, largimin e mbeturinave dhe sanimin e kanalizimeve të hapura.
Për mbrojtje personale, qytetarëve u rekomandohet përdorimi i repelentëve kundër mushkonjave, veshja e rrobave të çelëta që mbulojnë pjesën më të madhe të trupit, si dhe përdorimi i rrjetave mbrojtëse në dritare dhe pajisjeve mbrojtëse në ambiente të jashtme.
Udhëtarëve që kanë vizituar zona ku janë raportuar infeksione të transmetuara nga mushkonjat u rekomandohet që pas kthimit të përcjellin gjendjen shëndetësore.
Në rast të temperaturës, dhimbjes së kokës, lodhjes, skuqjes së lëkurës apo shenjave neurologjike, IKSHPK-ja rekomandon kërkimin e menjëhershëm të vlerësimit mjekësor, duke informuar profesionistin shëndetësor për historinë e udhëtimit dhe ekspozimin e mundshëm ndaj mushkonjave.

