Saturday, September 19, 2026
HomeLajmeKosovëSpahiu në 27-vjetorin e RTK-së: Bashkë për një transmetues publik më të...

Spahiu në 27-vjetorin e RTK-së: Bashkë për një transmetues publik më të fortë

Drejtoresha e Përgjithshme e Radiotelevizionit të Kosovës, Zana Spahiu, ka uruar të gjithë punëtorët e transmetuesit publik dhe kontribuuesit ndër vite, me rastin e 27-vjetorit të themelimit të RTK-së.

Në urimin e saj, Spahiu ka vlerësuar kontributin e punëtorëve në ndërtimin dhe zhvillimin e transmetuesit publik, duke theksuar se, pavarësisht sfidave dhe vështirësive financiare, pasuria më e madhe e RTK-së janë njerëzit e saj.

“Gjatë këtyre 27 viteve, RTK ka kaluar nëpër shumë etapa, sfida dhe vështirësi. Edhe sot mund të përballemi me vështirësi financiare dhe sfida të shumta, por kemi diçka për të cilën duhet të jemi krenarë: pasuria më e madhe e RTK-së janë punëtorët e saj”, ka theksuar Spahiu.

Ajo ka vlerësuar profesionalizmin, përkushtimin dhe gatishmërinë e stafit gjatë zhvillimeve dhe mbulimeve të fundit, duke nënvizuar se RTK disponon resurse njerëzore dhe kuadro profesionale të afta për t’iu përgjigjur me përgjegjësi edhe situatave më sfiduese.

Sipas saj, ky potencial njerëzor përbën bazën e besimit se RTK-ja do të arrijë t’i tejkalojë vështirësitë e momentit dhe të vazhdojë zhvillimin e saj.

“Institucionet nuk janë vetëm ndërtesa, pajisje apo buxhete; ato janë para së gjithash njerëzit që punojnë dhe besojnë në misionin e tyre”, ka deklaruar Drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së.

Spahiu ka falënderuar punëtorët për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre, duke bërë thirrje për vazhdimin e angazhimit të përbashkët në ndërtimin e një RTK-je më të fortë, më profesionale dhe në shërbim të publikut.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram