Mesfushori Dion Kaçuri ka folur për herë të parë pasi iu bashkua grumbullimit të Kosovës, duke treguar se vendimi për të përfaqësuar “Dardanët” ka qenë i natyrshëm për të.
22-vjeçari, i cili më parë ishte pjesë e Zvicrës U21 dhe mbante edhe shiritin e kapitenit, mori ftesën e parë nga përzgjedhësi Franco Foda për ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Pas mbërritjes në Prishtinë, Kaçuri theksoi se zgjedhja për Kosovën ishte një vendim i marrë me zemër.
“Ka qenë një vendim me zemër dhe lehtë ka qenë për mua. Jam shumë i lumtur që mundem të luaj për Kosovën. Provoj gjithnjë të jap maksimumin”, tha ai.
Ai shpjegoi edhe arsyen pse kjo zgjedhje ishte e lehtë për të, duke theksuar lidhjen e fortë familjare me Kosovën.
“Ka qenë lehtë sepse prindërit kanë lindur dhe janë rritur këtu. Familjen e kam këtu gjithashtu. Një herë ose dy në vit vijmë për pushime, prandaj ka qenë vendim me zemër”, theksoi ai.
Kaçuri foli edhe për pritshmëritë e tij nga Kombëtarja e Kosovës, duke vlerësuar cilësinë e skuadrës.
“Kemi një ekip të fortë, lojtarët luajnë në top klubet dhe shpresoj që të fitojmë secilën ndeshje. Të shohim”, tha ai.
Kosova do ta nisë edicionin e ri të Ligës së Kombeve në Prishtinë, ku të enjten do të përballet me Irlandën.

