Wednesday, September 23, 2026
HomeLajmeKosovëMustafa: Nuk kemi rrugë tjetër përveç unitetit

Mustafa: Nuk kemi rrugë tjetër përveç unitetit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rustem Mustafa, ka kërkuar unitet politik dhe institucional pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke folur në RTK Prime, Mustafa e ka cilësuar vendimin si “tronditës”, duke thënë se nuk e kishte pritur një goditje të tillë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Vendimet e pabazuara kanë goditur rëndë. Janë të papritura, edhe tronditje, shumë tronditëse”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, pasojat e këtij vendimi, siç i sheh ai, prekin dimensione të ndryshme të shoqërisë.

“Goditja është shumëdimensionale. Prek të gjitha dimensionet e jetës, prek historinë tonë, trashëgiminë tonë, të kaluarën tonë, lavdinë tonë”, është shprehur ai.

Mustafa ka vlerësuar reagimin e të rinjve dhe studentëve përmes protestave, duke thënë se ata po angazhohen në mbrojtje të asaj që e konsiderojnë vlera të luftës së UÇK-së.

“Jam i kënaqur se si e gjeti mënyrën rinia, masat studentore, njerëzit e profileve të ndryshme që nuk kanë të bëjnë me politika ditore dhe me mekanizma partiakë. Po e gjejnë mënyrën e shprehjes së pakënaqësisë përballë një sulmi tepër të mprehtë”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se institucionet dhe partitë politike duhet të veprojnë të bashkuara.

“Unë mendoj që nuk kemi rrugë tjetër përveç unitetit, bashkimit, të bashkuar t’i përgjigjemi sfidës që ka goditur aq rëndë palcën e kombit”, ka theksuar ai.

Mustafa ka kërkuar që të gjitha partitë politike të bashkërendohen përballë zhvillimeve pas aktgjykimit.

“Është domosdo koha kur Partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, që tani është fituese e zgjedhjeve dhe po udhëheq me Qeverinë e Kosovës, bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, po edhe të gjithë të tjerët, të jenë unikë përballë këtyre sfidave të reja”, ka thënë ai.

Sipas Mustafës, partitë duhet të punojnë bashkë për ndërtimin e një qasjeje institucionale.

“Bashkërisht të ndërtojnë rrugën dhe kapacitetet, të gjitha kapacitetet që kanë t’i vënë në shërbim të rrëzimit të verdiktit të gabuar”, ka deklaruar Mustafa.

Duke folur për nismën e PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Mustafa ka thënë se iniciativa nuk synon ndërhyrjen në drejtësi.

“Ne kemi shfrytëzuar të drejtën tonë dhe kemi iniciuar sot ndryshimin e ligjit. Juristët në kuadër të Partisë Demokratike kanë gjetur gabime dhe kanë gjetur mundësi se si t’i qasemi ndryshimit të ligjit, pa kërkuar shfuqizimin e ligjit, pa ndërhyrë në drejtësi”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se synimi është që të përcaktohet më qartë mënyra se si institucionet e Kosovës duhet të veprojnë pas zhvillimeve në Hagë. “Vetëm duke e kthjelluar rrugën se si duhet të punojnë tash e tutje institucionet e vendit, si t’i përgjigjemi sfidës së legjislacionit tonë”, ka deklaruar Mustafa.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram