Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës një Projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se Grupi Parlamentar i PDK-së ka proceduar kërkesën në Kuvend për plotësim-ndryshim të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Sipas kryetari të PDK-së, iniciativa vjen në kuadër të qëndrimit të kësaj partie lidhur me zhvillimet në proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova po kalon ditë të rënda dhe se qytetarët në vazhdimësi po protestojnë kundër vendimit të Gjykatës Speciale.
Sipas Hamzës, ky reagim i qytetarëve nuk mund të injorohet e as Kuvendi nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk e prek Republikën e Kosovës.
“Kjo gjykatë nuk është imponuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por është krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kushtetutës të martuara nga Kuvendi i Kosovës”, ka thënë ai.
Hamza ka deklaruar se gjithçka ka nisur nga raporti i Dick Martyt dhe rezoluta e Këshillit të Evropës. Sipas tij, në qendër të atij raporti ishin pretendime të rënda që godisnin luftën dhe çlirimtarët.
Hamza tha se projektligji nuk parasheh mbylljen e Dhomave të Specializuara të Hagës.
“Kosova mori një vendim të vështirë dhe Kosova veproi me bindjen që nuk kishte asgjë për të fshehur. Sot pas më shumë se një dekade, ekziston një fakt që kërkon përgjigje. Në Dhomat e Specializuara nuk është ngritur një rast lidhur me pretendimet e Martyt. Nëse Kosova krijoi këtë Gjykatë me mision të posaçëm, a duhet që ky mision të ketë një kufi. Projektligji jep një përgjigje të qartë. Nuk kërkon mbylljen e Dhomave të Specializuara. Nuk kërkon që akuzat që lidhen me pretendimet për të cilat u krijuan Dhomat e Specializuara të mos hetohen. Ato raste do të vazhdojnë të jenë pjesë e mandatit të tyre. kjo nuk është nismë për pandëshkueshmëri. Është nismë për të paracaktuar se kush ka të drejtë të gjykojë çfarë”, ka thënë ai.
Pas këtij vendimi, PDK ka paralajmëruar se, krahas hapave të tjerë demokratikë dhe institucionalë, do të ndërmarrë edhe veprime konkrete ligjore në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Projektligji i dorëzuar sot synon ndryshimin dhe plotësimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se çdo institucion i themeluar me ligjet e Republikës së Kosovës duhet të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet e vendit, standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe garancitë për një proces të drejtë gjyqësor.
Përmes kësaj nisme, PDK kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta ushtrojë përgjegjësinë e tij kushtetuese dhe ligjvënëse, duke shqyrtuar me seriozitet dispozitat ligjore që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara.
PDK do të vazhdojë të ndjekë çdo rrugë demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve të drejtësisë në të gjitha fazat e mëtejshme të procesit.
Nisma është ndërmarrë pas aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

