Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka miratuar deklaratën e përbashkët me titullin “Jo në emrin tim, drejtësi për UÇK-në dhe mbrojtja e historisë tonë”.
Deklarata u prezantua nga nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati, e cila tha se Kuvendi Komunal duhet të jetë i bashkuar në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot më shumë se kurrë duhet të bëhemi bashkë për mbrojtjen e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Musmurati.
Në deklaratë shprehet “mospajtimi i thellë” me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shkurt 2026, ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po ashtu edhe rastet e Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës.
Sipas deklaratës, UÇK-ja është pjesë e historisë së Kosovës dhe e rrugëtimit drejt krijimit të Republikës së Kosovës.
“Kuvendi i Komunës së Prishtinës u bën thirrje qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës që të mobilizohen dhe të bashkohen në protesta në sheshin e Prishtinës dhe Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Kuvendi Komunal ka bërë thirrje që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe dinjitoze.
Duke iu referuar formulimit “Në emër të popullit të Kosovës”, me të cilin është shpallur aktgjykimi, në deklaratë thuhet se mesazhi i Kuvendit të Prishtinës është: “Jo në emrin tim”.
“Kosova duhet ta ngrejë zërin”, thuhet në përfundim të deklaratës.

