Të paktën 57 anëtarë të forcave të sigurisë u vranë të mërkurën në dy sulme nga dega Sahel e grupit xhihadist Shteti Islamik, tha të enjten ministria e mbrojtjes e Nigerit.Sipas raportit të ministrisë, 38 ushtarë u vranë në sulmin e parë në bazën ushtarake Dabagu në rajonin Tahoua, ndërsa disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Rajoni Tahoua ndodhet rreth 450 kilometra nga kryeqyteti Niamey, jo shumë larg kufirit me Malin.
Në sulmin e dytë, i cili ndodhi po atë ditë në zonën Abala-Filingué, rreth 250 kilometra larg Niamey, u vranë 19 anëtarë të xhandarmërisë.Junta ushtarake që mori pushtetin pas një grushti shteti në vitin 2023 po përpiqet të vërë nën kontroll konfliktin e gjatë të vendit me grupet xhihadiste.
Pakënaqësia thuhet se po rritet brenda ushtrisë për shkak të humbjeve të rënda në betejat kundër grupeve islamike, dhe në gusht pati edhe një përpjekje për rebelim që junta arriti ta ndalonte pas disa orësh.

