Tetë persona janë arrestuar pas një përleshjeje në Veternik të Prishtinës, ku dy persona kanë pësuar lëndime trupore, njëri prej tyre nga arma e zjarrit dhe tjetri nga një mjet i mprehtë.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 26 shtator, rreth orës 04:39, prapa një lokali, pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet disa personave.
Gjatë përleshjes, njëri nga të dyshuarit dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur një person, ndërsa një tjetër dyshohet se ka përdorur thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore një personi tjetër.
Të dy të lënduarve u është ofruar ndihma mjekësore dhe ata janë duke marrë trajtim në institucionin shëndetësor.
Policia ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes dhe te personat e dyshuar janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, tri gëzhoja, dy fishekë, dy predha, një thikë, një çelës metalik dhe një veturë.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të tetë të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje.
Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore.

