Tifo-grupet kosovare kanë protestuar të dielën në Prishtinë kundër vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me moton “UÇK nderohet kur shqiptaria bashkohet”, ata janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ku kanë ndezur flakadanë, duke mbushur sheshin me tym në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Speciales.
Para përfundimit të protestës pjesëmarrësve iu bë thirrje që ta pastrojnë sheshin nga mjetet piroteknike të cilat i kanë përdorur.
Protesta kundër aktgjykimit janë mbajtur gjatë ditës edhe në Shkup, ndërsa tubime të ngjashme janë zhvilluar në Melburn të Australisë, Oslo të Norvegjisë dhe Gjenevë të Zvicrës e shumë qytete tjera në mbarë botën.
Me fillim nga ora 21:00 pritet edhe protesta e 12-të me radhë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kundër të njëjtit vendim. Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka bërë thirrje për pjesëmarrje edhe në protestën e radhës.

