Pak më shumë se një orë ka mbetur deri në fillimin e ndeshjes mes Austrisë dhe Kosovës, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
“Dardanët” do të përballen me Austrinë në Vjenë, në një sfidë që pritet të jetë ndër më të vështirat në këtë grup.
Kosova hyn në këtë takim pas fitores 1-0 ndaj Irlandës, të regjistruar tri ditë më parë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kombëtarja e Kosovës të shtunën ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para përballjes me austriakët, të cilët konsiderohen favoritë për të triumfuar në grup.
Përzgjedhësi Franco Foda, në konferencën për media para ndeshjes, ka thënë se e njeh mirë Austrinë dhe është i vetëdijshëm për vështirësinë e sfidës që e pret Kosovën.
“E kemi analizuar lojën e tyre. I njoh disa lojtarë që kanë luajtur kur isha unë. E di çfarë na pret. Austria luan në mënyrë agresive, bën presion të lartë, prandaj duhet të bëjmë kundërpresion. Ne jemi të përgatitur, por në fushë do të vendosin detajet”, ka deklaruar Foda.
Lajm i keq për trajnerin e Kosovës është mungesa e mbrojtësit Albion Hajdari, i cili u lëndua në ndeshjen kundër Irlandës dhe nuk do të jetë në dispozicion për duelin në Vjenë.
Ndërkohë, në kryeqytetin austriak është krijuar një atmosferë e veçantë nga tifozët shqiptarë që kanë udhëtuar për ta përkrahur Kosovën.
Gazetari i RTK-Radios, Edmond Thaçi, raporton se prania e madhe e tifozëve pritet t’u japë “Dardanëve” përkrahje të fuqishme nga tribunat.
“Atmosfera në Vjenë vërtet është fantastike. Tifozët të shumtë shqiptarë kanë ardhur për ta përkrahur Kombëtaren tonë dhe po krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme. Lojtarët tanë do të kenë përkrahje të fuqishme, pasi në stadium do të jenë një numër i madh i tifozëve shqiptarë”, ka thënë Thaçi për RTK-në.
Të dyja skuadrat e kanë nisur me fitore këtë edicion të Ligës së Kombeve. Kosova e mposhti Irlandën 1-0 në Prishtinë, ndërsa Austria triumfoi 3-1 ndaj Izraelit.
Ndeshja Austri-Kosovë zhvillohet në Vjenë dhe nis në orën 18:00.

