Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që të vazhdojë në mungesë procedurën penale ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Vendimi u mor sot, pasi gjykata vlerësoi se janë ndërmarrë përpjekjet e nevojshme ligjore për sigurimin e pranisë së të akuzuarve, të cilët nuk ndodhen në Kosovë.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Atdhe Dema, kërkoi që shqyrtimi fillestar të vazhdojë në mungesë, duke argumentuar se janë përmbushur veprimet e parapara me ligj.
“Besoj fuqishëm që të gjitha përpjekjet tona, ashtu siç kërkohet me dispozita ligjore, janë ndërmarrë dhe prandaj propozoj që të vazhdojmë me shqyrtimin fillestar”, tha Dema.
Gjyqtarja Medie Bytyqi më pas kërkoi që mbrojtja të deklarohej lidhur me vazhdimin e procedurës në mungesë.
Avokatët u pajtuan me qëndrimin e Prokurorisë, ndërsa avokati Shkumbin Asllani kërkoi që fillimisht të verifikohej nëse ishin plotësuar të gjitha kushtet ligjore.
Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Bytyqi njoftoi vendimin e gjykatës.
“Merr aktvendim, mbahet gjykimi në mungesë. Të akuzuarit do të përfaqësohen gjatë tërë procedurës penale nga avokatët”, deklaroi Bytyqi.
Sipas saj, gjykata kishte ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për sigurimin e pranisë së të akuzuarve, por, duke qenë se kjo nuk ishte bërë e mundur, janë krijuar kushtet për zhvillimin e procedurës në mungesë.
Akuzat për dëbimin e popullsisë civile
Pas vendimit, prokurori Dema lexoi aktakuzën ndaj 21 të akuzuarve, të cilët ngarkohen me veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.
Sipas aktakuzës, veprat e pretenduara kanë ndodhur gjatë periudhës janar-qershor 1999, në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit kishin autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre dhe se ishin në dijeni për veprimet që dyshohet se kryheshin nga këto forca.
Në aktakuzë përfshihen pretendime për shkatërrim të pronës, djegie të shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekje dhe ndalime arbitrare të personave për shkak të përkatësisë etnike.
Prokuroria pretendon gjithashtu se forcat nën komandën ose kontrollin e të akuzuarve kanë kryer sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me shqiptarë, me qëllim të zhvendosjes së dhunshme të popullsisë.
Sipas aktakuzës, këto veprime kanë çuar në krijimin e kolonave të civilëve shqiptarë të detyruar të largoheshin drejt kufijve të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Në aktakuzë përmendet shifra prej rreth 862 mijë e 979 personash të dëbuar.
Prokuroria i ngarkon të akuzuarit edhe me pretendimin se nuk kanë marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme, brenda kompetencave të tyre, për t’i parandaluar këto veprime, për t’i ndaluar autorët ose për t’i raportuar shkeljet tek autoritetet përkatëse.
Në aktakuzë përfshihen Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavljeviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Krsman Jeliq, Ljubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Millosh Doshan, Ljubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Millovan Kovaçeviq.
Të gjithë akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile.
Procedura do të zhvillohet në mungesë të tyre, ndërsa gjatë gjithë procesit ata do të përfaqësohen nga avokatët e tyre mbrojtës.

