Shefi i Grupit Parlamnetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë në konferencë për media se në Kuvend ekziston vullnet politik për mbështetjen e ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ka vullnet politik t’ia mbështetë ligjin. E komentoj dhe shprehi vlerësimin personal edhe në emër të Partisë Demokratike të Kosovës për të gjithë deputetët që e kanë votuar këtë kalim sot. Kjo është dëshmi e qartë që Kuvendi ka vullnet politik t’ia mbështetë ligjin dhe të bëjë veprimet e duhura rreth kësaj çështjeje, andaj qeveria duhet që ligjin ta sjellë në Kuvend dhe ky vullnet politik të argumentohet me aktin e dytë po votimin e amendamentimit të këtij ligji”, tha Tahiri.
I pyetur nga gazetarja nëse kjo çështje është kusht për zgjedhjen e presidentit, Tahiri tha se zgjedhja e presidentit lidhet me vullnetin e partive politike dhe përgjegjësinë e deputetëve.
“Çështja e presidentit është çështje e vullnetit të partive politike, është përgjegjësi kombëtare, përgjegjësi kushtetuese, përgjegjësi politike, përgjegjësi morale, përgjegjësi individuale e secilit deputet që është aty, përderisa çështja e presidentit është çështje e vullnetit të partive politike që patjetër duhet me pas qasje proaktive, konsensus dhe mos me e leju e mos me u bë shkaktarë të zgjedhjeve të njëpasnjëshme sepse asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk i do zgjedhjet dhe vendi ynë nuk është që ka nevojë për zgjedhje”, ka thënë ai.

