Thursday, October 1, 2026
HomeLajmeKosovëMichele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen do t`i shqyrtojnë apelimet

Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen do t`i shqyrtojnë apelimet

Procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po hyn në një fazë të re. Teksa po afrohet afati për njoftimin e apelimit ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, në Hagë është caktuar trupi gjykues që do të merret me ankesat. Tre gjyqtarë me përvojë në drejtësinë penale ndërkombëtare do të jenë pjesë e panelit që mund ta shqyrtojë këtë fazë të procesit.

Derisa po afrohet afati për njoftimin e Dhomave të Specializuara për apelimin e aktgjykimit të shkallës së parë, në Hagë kanë nisur përgatitjet për fazën e ardhshme të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Dhomat e Specializuara kanë caktuar panelin e Gjykatës së Apelit që do t’i shqyrtojë çështjet që lidhen me aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Paneli, i caktuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, përbëhet nga gjyqtarët Michèle Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.

Të tre gjyqtarët kanë përvojë në drejtësinë penale ndërkombëtare dhe kanë shërbyer në institucione të ndryshme gjyqësore ndërkombëtare.

Po ashtu, ata kanë qenë pjesë e trupave të Apelit të Speciales në raste të tjera, përfshirë çështjet ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt dhe Pjetër Shalës, ndërsa kanë shërbyer edhe në procedura të tjera të lidhura me rastin Thaçi dhe të tjerët.

KAI AMBOS

Njëri prej tyre është Kai Ambos.

Ambos është profesor i së drejtës penale, procedurës penale, së drejtës krahasuese dhe së drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Göttingenit në Gjermani.

Ai ka pasur përvojë si avokat mbrojtës dhe këshilltar në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Emri i tij lidhet edhe me një prej rasteve më të njohura të Tribunalit të Hagës.

Ambos ka qenë bashkëmbrojtës i Mladen Markaçit në rastin ndaj gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markaç.

Në vitin 2012, Dhoma e Apelit e Tribunalit për ish-Jugosllavinë i shpalli të pafajshëm Gotovinën dhe Markaçin.

Në atë proces, një nga mbrojtësit e Gotovinës ishte Luka Mishetiq, i cili sot është avokati kryesor i Hashim Thaçit në Hagë.

MICHÈLE PICARD

Pjesë e panelit do të jetë edhe gjykatësja franceze Michèle Picard.

Picard është gjykatëse në Gjykatën e Apelit në Paris dhe më herët ka shërbyer si gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Ajo ka pasur gjithashtu role në institucione ndërkombëtare që lidhen me të drejtat e njeriut në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë.

Picard ka qenë edhe gjykatëse e fazës paraprake në çështjen ndaj ish-presidentit të Republika Srpskas, Radovan Karaxhiq.

Gjatë atij procesi, Karaxhiqi kishte kërkuar përjashtimin e saj, duke argumentuar se ajo kishte pasur më herët një rol në Dhomën për të Drejtat e Njeriut në Bosnje-Hercegovinë.

Kërkesa e tij ishte rrëzuar dhe Picard kishte vazhduar të merrte pjesë në proces.

NINA JORGENSEN

Gjyqtarja e tretë e panelit është Nina Jørgensen, profesoreshë e së drejtës publike ndërkombëtare në Universitetin e Southamptonit.

Ajo ka përvojë të gjatë në drejtësinë penale ndërkombëtare.

Nga viti 2001 deri më 2010, Jorgensen ka ushtruar detyra të ndryshme në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen, përfshirë atë të këshilltares së lartë juridike në Zyrën e Prokurorit dhe juristes së lartë për çështjet e apelit.

Ajo ka punuar edhe në Dhomat e Jashtëzakonshme të Gjykatave të Kamboxhias, si dhe në Tribunalet Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën.

Ndërkohë, palët tashmë e kanë pranuar aktgjykimin me shkrim.

Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, pala që dëshiron të apelojë aktgjykimin duhet të paraqesë njoftimin për apel brenda 30 ditësh nga pranimi i aktgjykimit me shkrim.

Në këtë njoftim duhet të përcaktohen bazat e apelit.

Më pas, procedura vazhdon me parashtrimin e parashtresave të plota të apelit, përgjigjeve të palëve dhe, sipas rastit, replikave.

Kështu, pas aktgjykimit të shkallës së parë që i dënoi Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, procesi tashmë po hyn në një fazë të re, atë të apelit. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram