Tuesday, September 29, 2026
HomeLajmeKosovëPDK reagon ndaj ambasadorit britanik: Mos e relativizoni aktgjykimin e Hagës

PDK reagon ndaj ambasadorit britanik: Mos e relativizoni aktgjykimin e Hagës

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, se aktgjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe themeluesve të Republikës së Kosovës ka të bëjë me “krime individuale”.

PDK e ka cilësuar këtë si “një reduktim të papranueshëm diplomatik të një vendimi me pasoja të gjera historike e politike për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”.

“Në arsyetimin e Dhomave të Specializuara, UÇK trajtohet në kuadër të konceptit të ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’, ndërsa Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, sipas konstatimeve të aktgjykimit, janë shpallur përgjegjës për kontributin e tyre në të ashtuquajturin qëllim të përbashkët kriminal të UÇK-së”, ka thënë PDK.

PDK ka theksuar se të njëjtit “ishin edhe ndër bashkëpunëtorët kryesorë të NATO-s gjatë bombardimeve të caqeve serbe në vitin 1999”.

“Prandaj, të thuash se bëhet fjalë për ‘krime individuale’ nuk e pasqyron peshën e dëmshme të këtij verdikti për Kosovën. Asnjë gjuhë diplomatike nuk mund ta ndryshojë përmbajtjen e papranueshme të këtij aktgjykimi dhe as pasojat e tij në mënyrën se si interpretohet lufta e UÇK-së dhe historia e Kosovës”, ka deklaruar PDK.

Sipas PDK-së, “drejtësia ndërkombëtare, fatkeqësisht, sot në Kosovë po perceptohet vetëm si instrument politik për të përcaktuar se cilat figura politike të Kosovës duhet të largohen nga skena politike dhe cilat duhet të mbështeten”.

PDK ka thënë se “Dhomat e Specializuara janë bërë shembulli më i dukshëm i abuzimit politik në emër të drejtësisë”.

“Bar Human Rights Committee of England and Wales ka ngritur shqetësime serioze lidhur me standardet e procesit dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara”, ka thënë PDK, duke shtuar se “këto shqetësime nuk duhet të injorohen nga shtetet që e mbështesin dhe e financojnë këtë institucion, sidomos nga Britania e Madhe”.

PDK ka theksuar se do ta kundërshtojë “çdo interpretim që shtrembëron të vërtetën historike të luftës në Kosovë”.

“Këtë do ta bëjmë me çdo mjet demokratik, politik dhe juridik, në institucione dhe në çdo hapësirë demokratike ku duhet të dëgjohet zëri i qytetarëve tanë, siç po dëgjohet edhe tani gjithandej botës”, ka deklaruar PDK.

“Nuk lejojmë që historia e Kosovës të rishkruhet. Të ardhmen e Kosovës e përcaktojnë vetë qytetarët e saj”, ka përfunduar PDK.

(19:33) Çitaku kritikon ambasadorin britanik për deklaratën mbi dënimet në Hagë

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me dënimet në Hagë.

Çitaku ka cituar deklaratën e ambasadorit se “Dënimet në Hagë kanë të bëjnë me krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme”.

“Qartazi, Ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktgjykimin e Gjykatës”, ka shkruar Çitaku.

Sipas saj, “këtu nuk bëhet fjalë për dënime për vepra individuale”.

“UÇK është cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ky është thelbi. Kjo është pesha e këtij vendimi. Dhe këtë nuk mund ta mbuloni me një fjali diplomatike”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka shtuar: “Mos na qitni hi syve”.

Çitaku ka thënë se vendimi mund të pranohet, relativizohet apo reduktohet në katër emra.

“Ju mundeni me e pranu këtë vendim. Mundeni me e relativizu. Mundeni me e reduktu në katër emra dhe me vazhdu tutje, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Mundeni, përmes tij, me ble vullnet e paqe me Serbinë e me të tjerët. Po ne jo”, ka shkruar Çitaku.

“Nuk kemi me heshtë derisa lufta jonë për liri të përshkruhet me gjuhën e kriminalitetit. Nuk kemi me e pranu që historia jonë të rishkruhet për komoditetin politik të askujt”, ka shkruar ajo.

Çitaku e ka përmbyllur reagimin me fjalët: “Jo. Jo në emrin tim”. 

Ndryshe, ambasadori Hargreaves ka deklaruar sot se dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme dhe se ato “në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim ndaj shtetësisë së Kosovës, sovranitetit të saj apo të drejtës për të përcaktuar të ardhmen e vet”.

Ai po ashtu ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë fuqishëm shtetësinë, sovranitetin dhe të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e vet. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram