Shqipëria ka shënuar fitoren e dytë radhazi në Ligën e Kombeve, duke triumfuar 3-0 ndaj San Marinos në “San Marino Stadium”, në Serravalle.
Kuqezinjtë e kontrolluan ndeshjen që nga fillimi dhe shumë shpejt morën iniciativën, duke krijuar presion të vazhdueshëm në portën e vendasve.
Trajneri Rolando Maran kishte zgjedhur një formacion me prirje të theksuar sulmuese, duke i besuar në repartin ofensiv Muçit, Mehmetit, Manajt dhe Uzunit. Në mesfushë, Asllani dhe Shehu u mbështetën edhe nga mbrojtësit e krahut, me Shqipërinë që synonte ta mbante lojën sa më lart.
Epërsia e kuqezinjve u konkretizua në minutën e 21-të. Anis Mehmeti përfitoi nga një aksion i mirë i skuadrës dhe dërgoi topin në rrjetë, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën e Kombëtares shqiptare.
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Rey Manaj dyfishoi avantazhin, duke i dhënë Shqipërisë një epërsi të merituar në përfundim të pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë, San Marino pati një nisje më të mirë dhe provoi të rikthehej në lojë. Megjithatë, mbrojtja shqiptare dhe portieri Sherri ishin në gatishmëri.
Në minutën e 58-të, Sherri reagoi mirë ndaj një tentative të befasishme të Capicchionit, duke penguar vendasit të shënonin golin e shpresës.
Shqipëria më pas riktheu kontrollin e lojës dhe në minutën e 65-të gjeti edhe golin e tretë. Manaj realizoi sërish, duke përfituar nga një gabim i portierit dhe mbrojtjes së San Marinos pas një goditjeje nga këndi.
Në minutat e fundit, Maran shfrytëzoi avantazhin për t’u dhënë minutat e para me Kombëtaren edhe dy lojtarëve të rinj, Samuele Sinës dhe Klevi Qefalisë.
Me këtë fitore, Shqipëria shkon në kuotën e gjashtë pikëve dhe ngjitet në krye të Grupit 1 të Ligës C në Nations League. Finlanda ka katër pikë, Bjellorusia një, ndërsa San Marino mbetet pa pikë.

