Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e mbështet integrimin gradual në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian, por ka theksuar se kjo duhet të jetë një rrugë drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Duke folur për POLITICO, Kurti tha se Kosova kërkon qasje më të madhe në tregun e përbashkët të BE-së, fondet dhe skemat financiare evropiane, si dhe në programe të përbashkëta në fusha si energjia, digjitalizimi, kërkimi shkencor, arsimi dhe infrastruktura.
“Ne e mbështesim integrimin gradual, por ai duhet të jetë një rrugë drejt anëtarësimit të plotë në BE, jo një proces paralel apo zëvendësim i tij. Kosova është e gatshme të bëjë pjesën e saj”, ka thënë Kurti.
Sipas propozimit të Komisionit Evropian, vendet që synojnë anëtarësimin mund të përfshihen gradualisht në tregun e përbashkët dhe në programe të BE-së edhe para anëtarësimit të plotë.
Ndërkohë, Komisioni Evropian e konsideron Kosovën një vend potencial kandidat, ndërsa procesi i saj i integrimit evropian vazhdon.

