Wednesday, September 30, 2026
HomeKulturëNikolay Deliyanev sjell një mesazh artistik për kufijtë në Bienalen e Durrësit

Nikolay Deliyanev sjell një mesazh artistik për kufijtë në Bienalen e Durrësit

Piktori bullgar Nikolay Deliyanev do të përfaqësojë Bullgarinë në Bienalen e Dytë Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, e cila nis më 1 tetor në qytetin shqiptar të Durrësit. Ky aktivitet prestigjioz, që zhvillohet në brigjet e Adriatikut, do të vijojë deri në fund të tetorit me moton “Periferia: Tranzicione vizuale” (Periphery Visual Transitions).

Nikolay Deliyanev do ta prezantojë personalisht triptikun e tij “Boundary Illusion” në Pavijonin Bullgar, i cili ndodhet në Galerinë Historike të Artit Pamor “Nikolet Vasia”, në qendër të Durrësit. Piktori, i cili jeton dhe punon mes Romës dhe Bullgarisë, do të jetë i pranishëm në ceremoninë e hapjes më 1 tetor. Ai do të takohet me publikun edhe më 2 tetor.

Nikolay Deliyanev sjell një mesazh artistik për kufijtë në Bienalen e Durrësit

FOTO: e siguruar nga Veneta Nenkova

Triptiku i Nikolay Deliyanev ngre një pyetje që në pamje të parë duket e thjeshtë: ku ndodhet kufiri? Por përgjigjja nuk është aspak e prerë. Sepse, për bullgarin, kufiri nuk është diçka e përcaktuar njëherë e përgjithmonë, por një konstrukt i mënyrës se si e perceptojmë – i ndikuar nga pozicioni ynë, njohuritë dhe imagjinata.

“Përmes shtresëzimit, transparencës, mjegullimit dhe tensioneve optike, Deliyanev krijon një imazh që nuk mund të përcaktohet përfundimisht. Vështrimi lëviz mes asaj që duket dhe asaj që mbetet e padukshme, duke e bërë vetë aktin e të parit pjesë të veprës së artit. Në këtë kuptim, kufiri nuk ndan, por lidh. Ai është një hapësirë kalimi dhe mundësie – një pikë ku fundi mund të shndërrohet në fillim. Edhe qendra dhe periferia pushojnë së qeni kategori absolute, sepse çdo pikë mund të jetë njëkohësisht qendër dhe kufi. Kjo ide lidhet natyrshëm me gjuhën artistike të Deliyanevit, e cila mbështetet në traditat e artit optik dhe kinetik”, tha për Radio Bullgarinë studiuesja e kulturës Veneta Nenkova dhe kryetare e Shoqatës Kulturore “Paralel 43” në Romë. Ajo kujtoi gjithashtu se në biografinë e Nikolay Deliyanevit përfshihen pjesëmarrje në aktivitete të rëndësishme të artit, si Bienalet e Xhenovës, Viterbos, Anzios dhe Nettunos, si dhe pjesëmarrja si finalist në Bienalen e 11-të Ndërkombëtare të Artit në Romë.

Nikolay Deliyanev sjell një mesazh artistik për kufijtë në Bienalen e Durrësit

FOTO: e siguruar nga Veneta Nenkova

Slide 1 of 3

imazh 1
imazh 2
imazh 3

“Me prezantimin e tij të fundit ndërkombëtar, artisti Nikolay Deliyanev na çon drejt kufirit tonë – atij kufiri që përcakton mënyrën se si e perceptojmë botën. Sepse periferia nuk është fundi, por horizonti: vendi ku e dukshmja kalon në të padukshme dhe ajo që njohim hapet drejt mundësive të reja. Pikërisht aty, përtej kufirit të dukshëm të shikimit, fillon hapësira e vërtetë e artit”, shprehet studiuesja e kulturës.

Nikolay Deliyanev sjell një mesazh artistik për kufijtë në Bienalen e Durrësit

FOTO: Elena Karkallanova

Forumi i artit bashkëkohor në Durrës, i cili nis më 1 tetor, zhvillohet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë dhe Bashkisë së Durrësit, në bashkëpunim me ambasadat e Polonisë, Kosovës, Brazilit dhe Bullgarisë, si dhe me Institutin Italian të Kulturës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram