Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka thënë se projektligji i ri, i cili është miratuar sot nga Qeveria, synon mbrojtje më efikase të ujërave dhe menaxhim më të qëndrueshëm të resurseve ujore në vend.
Ministrja Pacolli, ka bërë të ditur se sot, në mbledhjen e Qeverisë, është miratuar Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore.
Sipas saj, me këtë projektligj parashihet krijimi i Agjencisë së Ujërave, si dhe avancimi dhe harmonizimi i kornizës ligjore për menaxhimin e resurseve ujore, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
“Risi tjetër e këtij ligji është konstituimi i strukturës administrative, përkatësisht i Rojave të Ujërave, të cilët do t’i kryejnë drejtpërdrejt detyrat që ndërlidhen me mbrojtjen e resurseve ujore”, ka thënë Pacolli.
Ajo ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm në menaxhimin më të qëndrueshëm të ujërave dhe mbrojtjes së tyre si një nga pasuritë më të rëndësishme të vendit.

