Iniciativa “Jo në emrin tim!” do të mbajë sonte, në orën 21:00, protestën e 15-të kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta do të zhvillohet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku pjesëmarrësit pritet të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Gjykatës Speciale.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë, duke e cilësuar atë si një reagim ndaj aktgjykimit dhe në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së.
Njëri nga organizatorët e protestës, Çlirim Haziri, nga sheshi “Skënderbeu”, mbrëmë u ka bërë edhe një herë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin veprime konkrete për Gjykatën Speciale.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësim për aktgjykimin e shkallës së parë, si dhe për mungesën e transparencës dhe shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë.
Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët dhe përgjegjësinë që, mbi atë përfundim, i është atribuuar secilit prej tyre.
Përmes deklaratës, Kuvendi u kërkon institucioneve shtetërore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare, si dhe bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore me veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.

