Pothuajse 40 kilogramë kokainë, e ruajtur si provë kyçe për një gjyq të madh për trafik droge në Fixhi, u vodh nga kasaforta e një gjykate, ku pjesa më e madhe e substancës u zëvendësua me miell të zakonshëm.Kokaina e sekuestruar, me vlerë rreth 30 milionë dollarë, u sekuestrua në një rast të vitit 2019 që përfshinte shtetasin fixhiano-kanadez Joshua Rahman, i dënuar më parë për posedim të paligjshëm të narkotikëve.
Droga ndodhej në kasafortën e Gjykatës së Lartë në qytetin e Suvës, në pritje të rezultatit të procesit të apelimit. Megjithatë, gjatë inspektimit të kryer më 15 shtator, oficerët vunë re se mungonin shtatë nga një total prej 39 pakosh me kokainë.
Hetimi që pasoi zbuloi fakte edhe më skandaloze – analizat mjeko-ligjore të materialit të mbetur treguan se nuk kishte mbetur fare drogë në kasafortë.
“Testet mjeko-ligjore të kryera mbi materialet e mbetura të provave dhanë rezultate negative. Të gjitha provat u manipuluan dhe hetimi është përqendruar te personat përgjegjës direkt për menaxhimin e provave në sekretariatin e Gjykatës së Lartë”, tha policia.
Komisioneri i Policisë Rusiate Tudravu deklaroi se kokaina ishte ruajtur në kasafortë në mars të vitit 2021, dhe testet e mëparshme në vitin 2019 konfirmuan se ishte kokainë.
Policia ka identifikuar gjashtë persona nga sistemi i drejtësisë që kishin qasje në kasafortë, njëri prej të cilëve aktualisht ndodhet jashtë vendit. Për shkak të kësaj mungese, është duke u zhvilluar një verifikim i jashtëzakonshëm i të gjitha provave të tjera gjyqësore, përfshirë paratë e sekuestruara.
Ky nuk është rasti i parë i tillë në vend, në mars të këtij viti policia zbuloi se 12 kilogramë të tjerë kokainë të sekuestruar u zhdukën nga një çështje e veçantë penale, gjë që ngre pyetje serioze në lidhje me nivelin e korrupsionit dhe sigurisë brenda vetë aparatit gjyqësor.

