Friday, October 2, 2026
HomeLajmeKosovëAktakuzë ndaj N.H., dyshohet për dëm 15.7 milionë euro në buxhetin e...

Aktakuzë ndaj N.H., dyshohet për dëm 15.7 milionë euro në buxhetin e shtetit

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj N.H. për tri vepra penale, duke e akuzuar se gjatë viteve 2021-2023, në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në shumën prej rreth 15.7 milionë euro.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit N.H. për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarja e parave” dhe “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Po ashtu, është ngritur aktakuzë ndaj I.B. për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, N.H., gjatë viteve 2021-2023, në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, “ka tejkaluar kompetencat ligjore dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare”.

Sipas Prokurorisë, ai ka vepruar me qëllim që operatorëve ekonomikë të caktuar, ambalazhues të ujit, “t’u mundësojë përfitime pasurore të kundërligjshme”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në shumën e përgjithshme prej 15.752.486,07 euro.

I pandehuri akuzohet se nuk i ka dërguar të gjithë operatorët ekonomikë në vlerësim të Grupit punues Ministror.

“Ndërsa, pas pranimit të raportit nga ky grup, N.H operatorët me qëllim të favorizimit i ka selektuar në tri grupe, duke u mundësuar që detyrimet financiare të përcaktoheshin mbi bazën e raportimeve të tyre të paverifikuara”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu, i pandehuri nuk i ka zbatuar vlerësimet e Grupit punues në caktimin e borxheve të operatorëve, “duke i zvogëluar detyrimet financiare për shfrytëzimin e ujit”.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram