Qytetarët e Ferizajt, në mënyrë të organizuar, por edhe në forma të tjera, janë nisur drejt Prishtinës për të qenë pjesë e protestës „Jo në emrin tim“, në përkrahje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
“Vendimi i gjykatës është një vendim politik. Edhe ajo çka është më e rëndësishmja këtu, nuk janë dënuar njerëzit, nuk janë dënuar individët; është dënuar lufta, është dënuar UÇK-ja. Edhe kush mund të mendojë që Jakup Krasniqi ka bërë një krim? Ai vetëm e ka pasur hierarkinë, i pari, i dyti, dhe është dënuar me 25 vjet. Kjo është një turp”, tha Fadil Aliu, qytetar.
“Protesta e sotit dhe edhe protestat që kanë vazhduar tash e 15 ditë, ne nuk do t’i ndalim këto protesta, sepse jemi të pakënaqur, edhe ne si qytetarë, edhe si bashkëluftëtarë të atyre që janë atje. Do t’i vazhdojmë deri në pafundësi, derisa të lirohen çlirimtarët tanë“, tha Rifat Bega, qytetar.
Ferizajasit shpresojnë se drejtësia do të triumfojë dhe çlirimtarët do të lirohen.

