Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarit për spiunazh e shantazh, Fatmir Sheholli. I pandehuri Fatmir Sheholli, edhe në shqyrtim gjyqësor deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprat penale të cilat i vihen në barrë.
Në fjalën hyrëse të palëve në procedurë Prokurori i special, Bekim Kodraliu theksoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të paraqiten një varg provash, të cilat duhet të vlerësohen në tërësi dhe në raport me njëra-tjetrën.
Sipas prokurorisë, provat përfshijnë komunikime, takime, materiale të ndryshme, udhëzime për publikimin e tyre, si dhe veprime të tjera që prokuroria i cilëson si kërcënuese dhe shantazhuese ndaj të dëmtuarit, Arben Jetullahu.
Kodraliu deklaroi se Sheholli ka ndihmuar në veprimtarinë e një shërbimi të huaj siç është BIA e Serbisë, duke përcjellë materiale dhe duke vepruar, siç tha ai, sipas udhëzimeve të zyrtarit të saj, Bojan Dimiq.
Prokurori Kodraliu tha se i pandehuri Sheholli ka pranuar materiale nga BIA serbe dhe më pas ia ka dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, të cilat janë publikuar në emisionin ‘Pa Rrotlla’.
Ai përmendi edhe përdorimin e kodeve ‘turshi’, ‘kumbulla’ dhe të tjera gjatë komunikimit me zyrtarin e BIA-s, Bojan Dimiq, duke i cilësuar si pjesë të mënyrës së veprimit të lidhur me spiunazhin.
Sipas Kodraliut, veprimet e Shehollit i kanë mundësuar BIA-s të ndërhyjë dhe të ndikojë në një proces zgjedhor, duke dëmtuar interesat e vendit dhe qytetarëve. Në fund, ai kërkoi që pas administrimit të provave, Sheholli të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Ndërkohë, avokati i të akuzuarit, Mentor Neziri, tha se mbrojtja mbetet pranë fjalës hyrëse dhe kundërshtoi mënyrën se si prokuroria i ka paraqitur disa prej provave.
Në këtë seancë, në cilësinë e dëshmitarit të dëmtuar, para gjykatës ka folur Arben Jetullahu. Ai deklaroi se ishte kërcënuar dhe shantazhuar nga Sheholli derisa ai ishte në paraburgim me publikimin e disa videove nëse nuk ofronte ndihmë financiare.
Fillimisht, sipas tij, kishte dhënë 500 euro, ndërsa më pas kërkesat për para kishin vazhduar. Sipas tij, kërkesa për para ishte përsëritur edhe dy-tri herë, ndërsa shuma e përgjithshme e parave të dhëna si huazim kishte arritur në rreth 200 mijë euro, por që Sheholli si kishte kthyer asnjëherë.
Sipas aktakuzës, në mesin e provave të shumta ndaj Shehollit është edhe transkripti i bisedës së tij me terroristin serb Millan Rajdojçiq, dëshmi këto të sekuestruara gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit Sheholli.

