Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas komunikatës së Qeverisë, Prattipati e uroi Kurtin për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri.
“Kryeministri Kurti pranoi urime nga e Ngarkuara me Punë Prattipati për formimin e Qeverisë dhe mandatin e ri”, thuhet në komunikatë.
Gjatë takimit, Kurti e falënderoi përfaqësuesen diplomatike amerikane për bashkëpunimin, ndërsa shprehu mirënjohje për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës.
“Ai e falënderoi ambasadoren për bashkëpunimin dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e madhe, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.
Në takim është diskutuar edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, me fokus në mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e tyre.
“Krahas marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve si dhe mundësive për zgjerimin dhe thellimin e mëtejmë të tyre, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit dhe aktualitetin politik”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

