Friday, October 2, 2026
HomeGjeopolitikOpinion“Pikë!” – Kështu nuk i përgjigjet shteti qytetarit

“Pikë!” – Kështu nuk i përgjigjet shteti qytetarit

Zejdush Kastrati

Ndoshta ndër deklaratat që shkaktuan më së shumti irritim në opinionin publik nga ish-kryeprokurori Blerim Isufaj ishte ajo për tërheqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit.

Në një konferencë për media, Isufaj tha:

“Pa miratimin tim s’kish mujt me ndodhë, s’diskutohet kjo. Unë e kam dhanë pëlqimin, por arsyet pse e kam dhanë [pëlqimin] nuk mund t’i bëjë publik. Pikë!”

Pikë!

Sikur të ishte pronari i ndonjë firme private dhe gazetarët t’i kishin hyrë në zyrë për t’i kërkuar llogari se pse e ka ndërprerë një kontratë për furnizim me beton apo zhavorr.

Por jo, zoti Isufaj. Nuk ishit pronar i një kompanie private.

Ishit në krye të një institucioni shtetëror të drejtësisë.

Dhe këtu qëndron dallimi.

Në një shtet normal, një pozitë e tillë nuk të jep të drejtën të sillesh sikur vendimet që merr janë çështje personale, për të cilat publiku duhet të kënaqet me një “unë e kam dhanë pëlqimin” dhe, pastaj, me një “pikë!”

Përkundrazi.

Sa më e lartë të jetë pozita, aq më e madhe është përgjegjësia për të dhënë shpjegime.

Sigurisht, mund të ketë informacione që ligji nuk lejon të bëhen publike. Kjo është e kuptueshme. Por edhe atëherë, një zyrtar me përgjegjësi publike duhet të shpjegojë ku mbaron detyrimi ligjor për konfidencialitet dhe ku fillon detyrimi për llogaridhënie.

Sepse qytetarët nuk janë kuriozë që duan të dinë sekretet e zyrës.

Janë ata që, përmes shtetit, ia kanë besuar zyrtarit atë pushtet.

Prandaj, arroganca në një pozitë shtetërore është shumë më tepër se një problem personal i karakterit. Ajo është problem institucional.

Një zyrtar mund të jetë i bindur se vendimi i tij është i drejtë. Mund të jetë edhe i bindur se nuk i detyrohet askujt shpjegim. Por shteti demokratik nuk funksionon mbi bindjet personale të zyrtarëve.

Funksionon mbi ligjin, përgjegjësinë dhe llogaridhënien.

Prandaj, ajo “pikë” e Isufajt nuk duhej të ishte fundi i pyetjeve.

 Sepse posti shtetëror nuk është pronë private. Nuk është kompani betoni. Nuk është biznes zhavorri. Dhe zyra e shtetit nuk është pronë e atij që përkohësisht ulet në karrigen e saj.

Në fund të fundit, zyrtari largohet, karrigia mbetet, ndërsa përgjegjësia nuk zhduket bashkë me të.

Dhe ndoshta ky është mësimi më i thjeshtë që duhet ta mësojë çdo njeri që ulet në një karrige të shtetit:

Nuk je aty për t’i bërë nder shtetit. Je aty sepse shteti të ka besuar një detyrë. Dhe kur të pyet qytetari, përgjigjja nuk mund të jetë: “Pikë!”

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram