Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, duke bërë me dije se gjatë vitit 2025, 53.4 për qind e grave të diagnostikuara me këtë sëmundje janë identifikuar në fazën e parë dhe të dytë.
Vitia i bëri këto deklarata gjatë aktivitetit për shpërndarjen e pakove onkologjike, në kuadër të shënimit të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, “Tetori Rozë”, ku ishte i pranishëm së bashku me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Ai falënderoi profesionistët shëndetësorë për punën e tyre në trajtimin dhe përkujdesjen ndaj grave që përballen me këtë sëmundje, duke vlerësuar kontributin e ekipeve mjekësore nga diagnostikimi deri te trajtimi dhe rindërtimi i gjirit.
Ministri shprehu mirënjohje edhe për shoqatat që merren me ndërgjegjësimin e grave, veçanërisht për shoqatën “Jeta Vita”, si dhe për mediat, për përcjelljen e vazhdueshme të mesazheve për rëndësinë e kontrolleve të rregullta.
Sipas tij, diagnostikimi në fazat e hershme rrit mundësitë e suksesit të trajtimit dhe zvogëlon pasojat e sëmundjes.
“Sa i rëndësishëm është vetëkontrolli, sa i rëndësishëm është identifikimi në fazat e hershme, ku edhe trajtimi është shumë i suksesshëm, por edhe pasojat janë shumë më të vogla”, tha Vitia.
Ai u bëri thirrje grave që të mos i neglizhojnë kontrollet shëndetësore dhe të konsultohen me profesionistët mjekësorë për çdo ndryshim që vërejnë.
Vitia theksoi se rastet e grave të diagnostikuara në fazat e hershme, të cilat tashmë e kanë përfunduar trajtimin, dëshmojnë rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe të kontrolleve me kohë.
“Kontrollohuni dhe çdo ndryshim, qoftë më i vogli që ju mund të dyshoni, konsultojeni me profesionistët shëndetësorë, të cilët do të jenë çdoherë aty për t’ju përgjigjur në fazat e para”, u shpreh ai.

