Sunday, October 4, 2026
HomeSportKosova përballë Austrisë në “Fadil Vokrri”, Foda e Muriqi kërkojnë fitore

Kosova përballë Austrisë në “Fadil Vokrri”, Foda e Muriqi kërkojnë fitore

Kombëtarja e Kosovës përballet sot me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Kombeve. Ndeshja nis në orën 18:00, ndërsa “Dardanët” synojnë rezultat pozitiv para tifozëve vendas.

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se gjithçka është gati për përballjen, e cila pritet të zhvillohet në një atmosferë të veçantë në kryeqytet.

Në prag të ndeshjes, trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka theksuar rëndësinë e përmirësimit në fazën e mbrojtjes dhe menaxhimit të tranzicionit.

“Kemi pasur disa probleme ndaj Austrisë në mbrojtje. Kemi treguar ndaj Izraelit se jemi përmirësuar. E kemi analizuar mirë lojën dhe jemi përgatitur mirë. Na pret një ndeshje intensive. Duhet të kemi kujdes në tranzicion, në kalimin nga sulmi në mbrojtje dhe anasjelltas”, ka deklaruar Foda.

Trajneri gjerman ka vlerësuar edhe faktorin e fushës vendase, duke theksuar se mbështetja e tifozëve mund t’i japë ekipit energji shtesë.

“Tani e dimë që jemi në shtëpi dhe e kemi publikun. Kjo na shërben për një energji tjetër”, është shprehur ai.

Foda ka bërë të ditur se stafi teknik ka analizuar paraqitjen e fundit dhe ka marrë në konsideratë edhe gjendjen fizike të futbollistëve. Sipas tij, Kosova ishte më e stabilizuar në mbrojtje në ndeshjen ndaj Izraelit, ndërsa disa lojtarë kanë pasur probleme me lëndime.

“Pas çdo ndeshjeje bëjmë analiza dhe marrim vendime. Në Izrael u stabilizuam në mbrojtje. Disa lojtarë kanë pasur lëndime. Ndaj Izraelit bëmë ndryshime dhe tani, kundër Austrisë, duhet të kemi energji dhe pasion”, ka thënë Foda.

Ai ka përsëritur se objektivi i Kosovës është fitorja, duke vlerësuar se në një ndeshje të tillë mund të vendosin detajet.

Një prej temave të diskutuara para ndeshjes ka qenë edhe gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, për të cilën trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, ka shprehur kritika.

Foda ka thënë se e mirëkupton shqetësimin e homologut të tij, por ka theksuar se kushtet janë të njëjta për të dyja skuadrat.

Më i drejtpërdrejtë ka qenë sulmuesi Vedat Muriqi.

“Fusha është e njëjtë. Kanë ardhur edhe ekipe të tjera të njohura, por nuk janë ankuar. Po më duket si arsye për pas ndeshjes, ishalla del ashtu”, ka deklaruar Muriqi.

Sulmuesi ka shtuar se edhe në Mallorca, pavarësisht cilësisë së fushave, skuadrat shpesh përdorin lojën me topa të gjatë.

Muriqi ka folur edhe për mungesën e tij në ndeshjen ndaj Izraelit, pas pretendimeve të publikuara në rrjetet sociale se ai kishte refuzuar të luante.

Sulmuesi i Fenerbahçes i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke sqaruar se kishte pasur ngarkesë muskulore.

“Kisha ngarkesë të muskujve, është normale. Kisha lëndim para një muaj e gjysmë. Sot do të stërvitem dhe do të jem gati për lojë”, ka thënë ai.

Muriqi ka folur edhe për rolin e tij si kapiten i Kosovës, duke theksuar se nuk e konsideron këtë përgjegjësi si diçka të jashtëzakonshme.

Ai ka qenë për një kohë të gjatë zëvendëskapiten i përfaqësueses dhe, në mungesë të Amir Rrahmanit, ka marrë shiritin e kapitenit.

Muriqi ka thënë se dëshiron që përvoja e tij t’u shërbejë edhe futbollistëve të rinj, së bashku me lojtarë të tjerë me përvojë, si Milot Rashica dhe Mërgim Vojvoda.

Duke folur për përballjen me Austrinë, ai ka pranuar se ka humbur një mundësi të mirë për të shënuar, por ka theksuar se synon të shfrytëzojë çdo rast që i paraqitet.

Kosova tashmë është gati për një tjetër përballje me Austrinë, me “Dardanët” që do të kërkojnë një paraqitje të organizuar, energji dhe përqendrim maksimal përballë një kundërshtari të fortë.

Të dielen e kaluar, Kosova u mposht në Vjenë me rezultat 3:1, derisa të enjten luajti 0:0 me Izraelin.

Në tri ndeshjet e para, “Dardanët” i kanë 4 pikë të grumbulluara, dhe gjenden në vendin e 2-të në tabelë të grupit G, e austriakët i prin këtij grupi me 7 pikë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram