Thursday, October 8, 2026
HomeGjeopolitikOpinionÇFARË M… GAZETARIE ËSHTË KJO?!

ÇFARË M… GAZETARIE ËSHTË KJO?!

Kur gazetaria e braktis etikën dhe shndërrohet në mjet të luftës politike, alarmi duhet të jetë për të gjithë shoqërinë!

SHkruan Zejdush Kastrati

Në protesta e tubime, siç ishte edhe ky i fundit, gjithmonë mund të ketë individë me qëllime të këqija, provokues e të dhunshëm, njerëz me dosje të dyshimta, me deklarata fyese e kërcënuese, madje edhe individë që mund të synojnë eskalimin e situatës për interesa të caktuara.

Por kur në këtë lojë hyjnë edhe media e gazetarë, emrat e të cilëve opinioni i njeh mirë për qëndrimet dhe angazhimet e tyre politike, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë më serioz.

Të dëgjosh gazetarë që kanë lobuar që jo vetëm kjo katërshe, por edhe të tjerë, të përfundojnë në Hagë, e pastaj të dalin publikisht me thirrje si: “Duhet me kallë! Duhet të mos zgjedhim mjete për ta rrëzuar këtë qeveri! Urra, urra, nuk bën të ndalemi!”, kjo nuk është thjesht gazetari e dobët. Kjo është dëshmi e një degradimi shqetësues të misionit mediatik.

Gazetaria nuk është as tribunë urrejtjeje, as shtab politik, e aq më pak megafon për thirrje që mund ta shtyjnë shoqërinë drejt përplasjes. Detyra e saj është të informojë, të hulumtojë, të verifikojë dhe të mbajë përgjegjësi për atë që publikon, jo të nxisë zjarrin e më pas të hiqet si vëzhguese e tij.

Edhe më shqetësues është një tjetër “superlajm ekskluziv”, i publikuar në emër të gazetarisë investigative. Sipas këtij pretendimi, gjatë protestave, nga Haga qenka dirigjuar rrjedha e bisedimeve për nominimin e presidentes. Më tej, pretendohet se Policia e Kosovës dhe AKI-ja paskan zbuluar një arsenal të rëndë armësh në mesin e protestuesve, për çka qenka njoftuar edhe Kurti, i cili, nga frika, qenka dorëzuar dhe paska propozuar Justina-n e PDK-së për këtë post.

Dhe pretendimi shkon edhe më larg: po të mos lëshonte pe Kurti, të nesërmen, sipas këtij rrëfimi, do të numëroheshin viktima të shumta!

Nëse këto pretendime nuk mbështeten me prova të verifikueshme, atëherë nuk kemi të bëjmë me gazetari investigative, por me një rrëfim të rëndë, i cili kërkon përgjegjësi profesionale dhe sqarim publik. Akuza të tilla nuk mund të trajtohen si fakte vetëm pse publikohen me tituj bombastikë apo nën petkun e një ekskluziviteti mediatik.

Paramendojeni çfarë shteti do të kishim, nëse ky rrëfim do të ishte i vërtetë: një Polici dhe një AKI që pretendohet se kanë zbuluar rrezik të përmasave të tilla, por ku publiku mbetet pa sqarime bindëse; institucione që, sipas këtij tregimi, disponojnë informacione për një kërcënim të jashtëzakonshëm, ndërsa e gjithë çështja shndërrohet në një histori për pazare politike.

Vaj halli për ne, nëse siguria e shtetit, institucionet dhe jeta e qytetarëve reduktohen në material për spektakël mediatik!

Dhe pyetja që shtrohet është e pashmangshme: ku janë Prokuroria dhe gjyqësori përballë pretendimeve kaq të rënda? Nëse ka prova për armë, kërcënime apo plane për dhunë, ato duhet t’u dorëzohen organeve kompetente dhe të trajtohen sipas ligjit. Nëse nuk ka prova, atëherë publiku meriton të dijë se mbi çfarë baze janë publikuar pretendime të tilla.

Në fund, problemi nuk është vetëm te një lajm apo te një gazetar. Problemi është te standardi që po i vendoset opinionit publik, te mënyra se si po trajtohet e vërteta dhe te përgjegjësia që duhet të ketë secili që ushtron ndikim publik.

Gazetaria pa etikë është propagandë. Hulumtimi pa prova është spekulim. E fjala publike pa përgjegjësi është rrezik për shoqërinë.

Një vend nuk dëmtohet vetëm nga politika e keqe. Dëmtohet edhe kur ata që duhet ta informojnë publikun e humbin dallimin mes faktit dhe pretendimit, mes kritikës dhe nxitjes, mes gazetarisë dhe propagandës.

Prandaj, pyetja mbetet: Çfarë m… gazetarie është kjo?!

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram