Xhovan Shyti
Arroganca e diktati vijojnë të mbeten ndër problemet më të madha të pjesës dërmuese të këtyre viteve të qeverisjes së vendit nga kryeministri Edi Rama. Nëse politikat qeverisës të ofruara prej tij lëkunden, sipas konjukturave dhe interesave, arroganca e diktati imponues vijojnë të jenë statike, të pandryshueshme, të njëjta në sjelljen e tij qeverisëse.
Madje, nëse do ta zgjerojmë përfshirjen kohore, na duhet të përkufizojmë se Kryeministri në detyrë, me arrogancë hyri në politikë-qeverisje 28 vite më parë dhe po me të tillë sjellje vijon edhe sot e kësaj dite.
Me arrogancë Edi Rama imponoi marrjen e partisë nga Fatos Nano, në 9 tetor 2005. Me arrogancë vijoi drejtimin e ministerialit të Kulturës, post të cilin e mori në prill 1998. Po me arrogancë e diktat qeverisi Bashkinë e Tiranës (9 tetor 2005), gjatë qenies kryetar i saj (kulmin e arriti më 26 qershor 2003 kur u shfaq me sëpatë në dorë për të prerë një shtyllë elektrike që kishte mbetur në mes të rrugës te varrezat e Shish-Tufinës), dhe po me arrogancë vijon të udhëheqë pjesën e mbetur të PS-së e qeverisjen e vendit.
Arroganca dhe diktati, fatkeqësisht, vijojnë të mbeten dy shtylla të pandryshueshme të karakterit të njeriut që na ka rënë për pjesë ta kemi menaxhues të fatit të jetëve tona. Le ta kapërcejmë përmendjen e dhjetëra, pse jo qindra shembujve, ku falë diktatit e arrogancës së Edi Ramës jetët tona kanë pasur pasoja cenueshmërie, dhe të ndalemi te më e fundit.
Pra, te votimi me arrogancë e diktat të enjten i reformës Administrative Territoriale, me vetëm 85 votat e sforcuara të mazhorancës Rama. Pak orë para votimit nga Kuvendi të kësaj reforme të shumëkundërshtuar nga opozita, por edhe nga disa deputetë të PS-së së Ramës, ky i fundit mblodhi grupin e tij parlamentar.
Qëllimi ishte unifikimi i votave në favor të reformës administrative, shmangia e rrjedhjes së votave “kundër” miratimit të kësaj reforme. “Kush nuk ngre kartonin jeshil për reformën, mund të largohet nga grupi parlamentar”, ishte “vija e kuqe” e vendosur nga Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, para votimit të Territoriales, që përforcon dëshminë e pandryshueshmërisë së tij ndaj diktatit e arrogancës.
Arsyeja e lëshimit të ultimatumit diktues erdhi sa si pasojë e shfaqjes permanente të sjelljes arrogante të kryeministrit-kryetar të PS-së, ashtu edhe e vijës së hollë ndarëse të fatit të votave “kundër”, që do të sillte mosmiratimin e reformës, për të cilën duheshin patjetër, më së paku, 84 vota në favor. Efekti i mbledhjes së paravotimit parlamentar e dha “suksesin”. E shmangu rrëzimin e reformës Administrative Territoriale me 85 votat në favor të saj, falë ultimatumit diktues-arrogant të shefit të qeverisë e PS-së, Edi Rama, në mbledhjen para seancës votuese. Adresuar jo vetëm tre deputetëve, që e kishin vlerësuar draftin e reformës jo të përshtatshëm për mirëqeverisjen e taksapaguesve vendorë.
Diktatin e pushtetit të poseduar nga shefi i qeverisë e ndeshim edhe në hendekun e thellë që haset në raportin dispropocional e jobashkëpunues të mazhorancë/opozitës edhe për çështje të rëndësishme për fatin e vendit e të taksapaguesve. Sepse rasti i miratimit të reformës Administrativo-Territoriale me diktat e arrogancë është më i fundit.
Ndonëse nuk ka një shifër të vetme zyrtare fikse për çdo legjislaturë (pasi numri ndryshon vazhdimisht me depozitimin e nismave të reja), organizatat monitoruese të Kuvendit, si Instituti i Studimeve Politike (ISP), vlerësojnë se mazhoranca e PS-së ka rrëzuar apo refuzuar rreth 95% deri në 100% të nismave ligjore dhe amendamenteve thelbësore të propozuara nga opozita parlamentare.
Janë nisma të rrëzuara nga kartonët jeshilë të disponuar nga mazhoranca, deputetët e së cilës votojnë qorrazi sjelljen arrogante e diktatin e Edi Ramës. Urdhrat e rrjedhur nga karakteri i tij i pandryshuar diktues e arrogant. Po t’u shtojmë këtyre shembujve injorimin e mosparaqitjen e Edi Ramës në Parlament (sipas opozitës numërohen 11 kërkesa të tilla për interpelancë urgjente të injoruara nga kryeministri), ndonëse ligji ia imponon këtë, pazëlli i diktatit dhe arrogancës së sjelljes së Kryeministrit në detyrë bëhet më i plotë.
Dhe ajo që është më shqetësuese në këtë mes qëndron në faktin se me gjithë dekadat e sjelljes qeverisëse antidemokratike të njeriut që për të katërtin mandat vijon të jetë në krye të qeverisjes, asnjë nga hallkat përgjegjëse të ndaljes së këtij vrulli me pasoja social-politike, nuk guxon të veprojë. Nuk guxon t’ia ndalë vrullin që shkallmon e sjell pasoja në cilësinë e jetës së taksapaguesve e ndërtimin e së ardhmes demokratike për të cilën janë (e po) sakrifikohen gjeneratat.

