Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim me Claudia Lucianin, drejtoreshë e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Evropës.
Takimi u mbajt në Odën e Kryeqytetit, ku, sipas Ramës, u diskutuan sfidat me të cilat përballen komunat, forcimi i demokracisë lokale dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal të qeverisjes.
Një tjetër çështje e trajtuar ishte mundësia që komunat të kenë qasje më të drejtpërdrejtë në fondet evropiane dhe ndërkombëtare, me qëllim të mbështetjes së projekteve dhe zhvillimit lokal.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ritheksoi përkushtimin e Kryeqytetit për fuqizimin e vetëqeverisjes lokale dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë.

