Ministria e Financave e Republikës së Kosovës ka organizuar ngjarjen e Procesit të Berlinit për financat e paligjshme, me temën “Beyond Compliance – Ndërtimi i ekonomive të qëndrueshme përmes integritetit financiar”.
Në fjalën e tij, ministri i Financave, Hekuran Murati, falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme në kuadër të Procesit të Berlinit, duke e cilësuar atë si një prej hapësirave më të vlefshme për bashkimin e rajonit.
“Kur dëgjojmë fjalën ‘financim i paligjshëm’, shumica prej nesh mendojmë krimin, zbatueshmërinë dhe pajtueshmërinë. Po, të gjitha këto kanë rëndësi. Por do të flas pak më ndryshe, me aspektin ekonomik, me njerëzit, me bizneset”, tha Murati.
Sipas tij, financimi i paligjshëm ndikon drejtpërdrejt në ekonominë dhe konkurrencën e barabartë.
“Paraja e paligjshme ndryshon, krijon konkurrencë të pabarabartë, largon lojtarët dhe i largon të hyrat nga buxheti, nga buxheti me të cilin ndërtohen shkollat, spitalet, rrugët e tjera. Dhe kjo i jep përparësi atyre që nuk i respektojnë rregullat”, deklaroi ai.
Murati theksoi se lufta kundër financave të paligjshme lidhet edhe me besimin e publikut në institucione, pagesën e taksave, mbrojtjen e parasë publike dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
“Kjo punë nuk është vetëm e vendosjes së parave të atyre që devijojnë rrugën, por gjithashtu edhe pagesa e taksave, mbrojtja e parasë publike, mbajtja e ekonomisë të hapur dhe tërheqja e investimeve të jashtme që krijojnë punë të reja”, tha ministri.
Duke folur për masat e ndërmarra në Kosovë, Murati përmendi uljen e pragut për pagesat në para të gatshme ndërmjet bizneseve.
“E kemi ulur pagesat B2B nga 500 deri në 300, pra kemi ulur pragun. B2C, për konsumatorë që blejnë, tavani është 2 mijë në para të gatshme. Të tjerat janë të obliguara t’i bëjnë përmes transaksioneve të ndjekura përmes institucioneve financiare të licencuara nga institucionet tona”, tha ai.
Murati përmendi gjithashtu masat për kontrollin dhe licencimin e operatorëve që merren me kriptomonedha.
“Kemi kaluar përpara që të kontrollojmë licencimin tek operatorët që merren me kriptomonedha. Normalisht, kjo ndihmon pagesat dhe transaksionet digjitale më të ndjekshme dhe më transparente. Në këtë mënyrë ndihmohet konkurrenca e barabartë dhe futja e ekonomisë joformale në formalitet”, tha Murati.
Ai theksoi se asnjë institucion apo shtet nuk mund ta trajtojë i vetëm problemin e financave të paligjshme, pasi ato kalojnë lehtësisht kufijtë.
“Paraja e paligjshme e kalon kufirin lehtë. Prandaj bashkëpunimi na duhet, sidomos për Ballkanin Perëndimor. I ndajmë sfidat e njëjta dhe mësojmë nga njëri-tjetri, nga ajo çfarë është bërë dhe çfarë nuk është”, u shpreh ai.
Murati vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të inteligjencës financiare, policisë, prokurorisë, akademikëve dhe partnerëve evropianë e ndërkombëtarë.
“Do t’ju inkurajoja të gjithëve që të kemi një bisedë të hapur, praktike dhe të jemi të mburrur me progresin e shënuar, por gjithashtu për zbrazëtirat e mbetura dhe çfarë mbetet për t’u bërë”, tha ai.
Në përmbyllje, ministri theksoi se qëllimi duhet të jetë gjetja e zgjidhjeve konkrete për forcimin e integritetit financiar.
“Në fund të ditës, integriteti financiar nuk është vetëm për përputhshmëri rregullative, është për mbrojtjen e parasë publike, sigurimin e garës së barabartë dhe ndërtimin e një ekonomie ku besojnë qytetarët”, përfundoi Murati.
Ndërsa Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të integritetit financiar në kuadër të Procesit të Berlinit.
Duke folur në ngjarjen e organizuar për financat e paligjshme, Çobaj tha se Procesi i Berlinit përfaqëson një vizion të përbashkët të vendeve të rajonit.
“Është një vizion i ndarë, 12-vjetori i Procesit të Berlinit dhe sjellja e shumë zhvillimeve të ndryshme”, tha Çobaj.
Ai përmendi gjithashtu zhvillimet institucionale në Kosovë dhe samitin e ardhshëm që do të mbahet në Mal të Zi.
“Edhe kemi tani qeverinë e re, presidentin e ri, presidente e re dhe që është një tjetër siguri për një situatë më stabile. Dhe gjithashtu organizata të ndryshme në Prishtinë që e pasurojnë Procesin e Berlinit përtej perspektivës qeveritare, dhe gjithashtu për samitin që do të mbahet në Mal të Zi”, u shpreh ai.
Duke folur për temën e aktivitetit, Çobaj tha se integriteti financiar është një dimension i rëndësishëm i dialogut rajonal.
“Fokusi sot është në paratë e paligjshme dhe integritetin financiar, një dimension shtesë në këtë dialog përfshirës. Bizneset kërkojnë mbrojtje, qytetarët besim”, tha ai.
Sipas tij, përparimi kërkon kapacitete institucionale, besim publik dhe bashkëpunim.
“Të bërit hapa vetëm nuk është e mjaftueshme. Na duhet kapacitet institucional, besim publik dhe qëndrim kolektiv për të shënuar progres”, deklaroi Çobaj.
Ai theksoi se integriteti financiar nuk duhet të shihet vetëm përmes pajtueshmërisë dhe kornizave mbikëqyrëse.
“Integriteti financiar është ndërtimi i ekonomisë në të cilën besojnë qytetarët, ku garojnë bizneset e barabarta, burimet publike të mbrojtura, investimet kapitale të mbrojtura dhe gjithashtu një sistem të qëndrueshëm kundër keqpërdorimit të parave”, tha ambasadori malazez.
Çobaj vlerësoi gjithashtu rolin e Procesit të Berlinit në bashkimin e institucioneve, ekspertëve dhe sektorit privat.
“Procesi i Berlinit është platformë duke sjellë organizatat rajonale, ekspertët në sektorin privat dhe gjithashtu ofrimin e zgjidhjeve praktike”, tha ai.
Në përmbyllje, Çobaj e cilësoi integritetin financiar si një çështje me rëndësi për perspektivën evropiane.
“Integriteti financiar është më shumë se çështje teknike, është imperativ ekonomik dhe parakusht për të ardhmen evropiane që ne po e ndërtojmë”, përfundoi Çobaj.
Kurse Zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Silke Bellmann, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe institucioneve për luftimin e financimit të paligjshëm.
Duke folur në ngjarjen e Procesit të Berlinit për financat e paligjshme, Bellmann tha se kjo çështje nuk lidhet vetëm me aspektet financiare, por edhe me sigurinë dhe funksionimin e ekonomisë.
“Kur flasim për financimin e paligjshëm, nuk po flasim vetëm për numra dhe bilance, por për krimin global, qoftë pastrim parash, evazion fiskal apo financim terrorizmi. Kjo para rrjedh nëpër ekonomi, shoqëri dhe sigurinë tonë”, deklaroi ajo.
Bellmann theksoi se rrjetet kriminale shfrytëzojnë zbrazëtitë ligjore dhe ekonomike për të fshehur pasuritë e paligjshme.
“Asnjë shtet, asnjë trup rregullativ nuk mund ta bëjë këtë luftë, nuk mund ta bëjë këtë betejë vetëm”, u shpreh zëvendësambasadorja gjermane.
Ajo identifikoi tri fusha kryesore për luftimin e financimit të paligjshëm: transparencën, inovacionin dhe partneritetin.
“Duhet të mbyllim të gjitha të çarat që lejojnë kriminelët të fshihen prapa kompanive të ndryshme”, tha Bellmann, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e teknologjisë, analizës së të dhënave dhe inteligjencës artificiale për identifikimin e veprimtarive të dyshimta.
Ajo bëri thirrje edhe për bashkëpunim më të thellë ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, si dhe për forcimin e shkëmbimit të të dhënave ndërkufitare.
Sipas Bellmann, Procesi i Berlinit përbën një platformë të rëndësishme për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në përmbyllje, ajo theksoi rëndësinë e kalimit nga diskutimet në veprime konkrete për krijimin e një sistemi financiar më transparent.
“Duhet ta shfrytëzojmë kohën jo vetëm duke diskutuar problemet, por duke përshpejtuar përpjekjet dhe veprimet dhe të përkushtohemi në një ekosistem financiar ku integriteti është i panegociueshëm dhe paraja e paligjshme nuk ka vend për t’u fshehur”, përfundoi Bellmann.

