Operacionet Speciale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë dhe Kroacisë, kanë përmbyllur ushtrimin fushor “VALOR SHIELD 2026”.
Sipas FSK-së, ushtrimi u zhvillua në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë dhe kishte për qëllim avancimin e kapaciteteve operacionale në fushën e luftës jokonvencionale.
Në kuadër të ushtrimit u testuan aftësitë profesionale dhe specialistike të pjesëmarrësve, ndërsa fokus i veçantë iu kushtua forcimit të ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave dhe harmonizimit të standardeve të Operacioneve Speciale.
FSK-ja e ka vlerësuar “VALOR SHIELD 2026” si dëshmi të progresit të vazhdueshëm të Operacioneve Speciale të saj, të mbështetura nga partnerët ndërkombëtarë.
Sipas njoftimit, ushtrimi përfaqëson një hap drejt konsolidimit të një force profesionale, të qëndrueshme dhe të ndërveprueshme, të gatshme për përmbushjen e misionit në mbështetje të sigurisë kombëtare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

