REL
Shqipëria dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim në disa fusha, përfshirë sigurinë, teknologjinë, ekonominë dhe shëndetësinë.
Marrëveshja për Bashkëpunimin e Përgjithshëm u nënshkrua në Tiranë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe homologu i tij izraelit, Gideon Saar, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shqipëri.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, marrëveshja synon të krijojë një kuadër bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive dhe të mundësojë zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë.
Këto fusha përfshijnë tregtinë, inovacionin dhe teknologjinë, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën.
Ministri Hoxha tha se nënshkrimi i marrëveshjes shënon një pikë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke veçuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë.
“Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare”, tha Hoxha.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në sigurinë kibernetike, duke falënderuar Izraelin për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë pas sulmeve kibernetike të vitit 2022.
“I jemi thellësisht mirënjohës Izraelit për mbështetjen e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes kibernetike, pas sulmeve brutale kibernetike të Iranit dhe grupeve të lidhura me të, në vitin 2022, kundër infrastrukturës sonë kryesore dixhitale”, tha ai.
Hoxha shtoi se Shqipëria synon ta forcojë më tej bashkëpunimin me Izraelin në këtë fushë.
Duke folur për zhvillimet në Lindjen e Mesme, ministri Hoxha dënoi sulmet e Iranit dhe të grupeve të lidhura me të, duke thënë se ato cenojnë paqen dhe sigurinë në rajon. Ai rikujtoi gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë ndaj Teheranit, të cilin vendi e ka shpallur shtet sponsorizues të terrorizmit.
Ministri Hoxha tha se gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, njohja e Kosovës nga Izraeli dhe marrëdhëniet mes dy vendeve janë pjesë e përpjekjeve për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, vlerësoi mbrojtjen që Shqipëria u ofroi hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe qëndrimin e saj kundër Hamasit, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Është koha që ta kthejmë miqësinë në vepra dhe ta zgjerojmë partneritetin tonë”, tha Saar.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në takim u diskutua edhe për sfidat e sigurisë rajonale dhe globale, si dhe për kontributin e Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.

