Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë.
Gjatë takimit, Konjufca ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Estonisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ofron Kosovës.
Sipas njoftimit, në fokus të bisedës ishte perspektiva evropiane e Kosovës dhe ndërlidhja e saj me sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Të dyja palët kanë theksuar rëndësinë e adresimit të sfidave të sigurisë në rajon, përfshirë kërcënimet që, sipas njoftimit, vijnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi keqdashës rus.
Konjufca ka theksuar se integrimi evropian i Kosovës përbën një kontribut të rëndësishëm për forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon dhe në Evropë.
Në përfundim të takimit, dy ministrat kanë shprehur përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Estonisë.

