Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Hekuran Nikçi, me të cilin diskutoi për administrimin dhe mbrojtjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, çështjet e pazgjidhura pronësore dhe hapat e nevojshëm drejt përmbylljes së mandatit të Agjencisë.
“Vëmendje e veçantë iu kushtua pronave të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në Serbi, si dhe nevojës për identifikimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore mbi këto asete. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes për Kadastrin, të arritur në Bruksel më 2 shtator 2011, përmes së cilës Serbia ishte zotuar për dorëzimin e dokumentacionit kadastral të marrë nga Kosova. Pavarësisht marrëveshjes dhe mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, përfshirë një projekt në vlerë prej rreth 2 milionë eurosh në funksion të zbatimit të saj, Serbia ende nuk i ka përmbushur plotësisht obligimet e marra. Kjo vazhdon të vështirësojë trajtimin e çështjeve pronësore dhe garantimin e sigurisë juridike mbi pronën”, njofton Qeveria e Kosovës.
Në takim u trajtua gjithashtu nevoja për ndryshimet e domosdoshme ligjore dhe institucionale që do të mundësonin përmbylljen e mandatit të AKP-së dhe bartjen e aseteve përkatëse në Fondin Sovran të Republikës së Kosovës. U theksua se ky proces synon të sigurojë një administrim më të mirë të pasurisë publike dhe vënien e saj në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
Në këtë drejtim, u diskutua edhe për Ligjin për Fondin Sovran, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit 2023, i cili tash e gati tri vjet mbetet në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.
“Mungesa e një vendimi përfundimtar ka pamundësuar hyrjen në fuqi të ligjit dhe, rrjedhimisht, zbatimin e reformës së paraparë për transformimin e mënyrës së administrimit dhe zhvillimit të aseteve shtetërore. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit institucional për mbrojtjen e pasurisë së Republikës së Kosovës, zgjidhjen e çështjeve të hapura pronësore dhe avancimin e reformave që sigurojnë administrim të përgjegjshëm, transparent dhe në interes publik të këtyre aseteve”, njofton Qeveria e Kosovës.

