Gjeneralmajori italian Roberto Vergori ka marrë komandën e misionit të KFOR-it në Kosovë nga gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş, në një ceremoni ku morën pjesë Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka thënë se misioni do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij dhe në krijimin e kushteve për një të ardhme me paqe të qëndrueshme, demokraci dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Vergori këto deklarata i bëri në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, pas marrjes së detyrës nga gjeneralmajori Özkan Ulutaş. Ai theksoi se shërbimi ndaj njerëzve dhe përgjegjësia për mbrojtjen e tyre janë në thelb të misionit ushtarak.
“Synimi ynë është të sigurojmë që misioni të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e kushteve të duhura për një të ardhme në të cilën gjeneratat e reja mund të gëzojnë plotësisht përfitimet e paqes së qëndrueshme, demokracisë dhe prosperitetit. Ky është edhe motoja ime: liri për njerëzit, shërbim për njerëzit. Ne jemi krenarë për misionin tonë, që është të mundësojmë përparim për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, ka theksuar ai.
Ai e cilësoi marrjen e detyrës si privilegj dhe përgjegjësi të madhe, duke rikujtuar se misioni në Kosovë është operacioni më i gjatë dhe, sipas tij, ndoshta më i madhi i NATO-s.
“Edhe në vitin 1999, kur fillova dislokimin tim të parë operacional, nuk do ta kisha menduar se një ditë do të shërbeja në operacionin më të gjatë dhe, ndoshta, më të madh të NATO-s. Sot, të jem pjesë e këtij misioni nuk është vetëm detyrë, por një privilegj i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe. Ashtu siç u tha, edhe unë i bashkohem këtij përkushtimi ndaj Kosovës. Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar për përmbushjen e mandatit tonë afatgjatë, me angazhim të vazhdueshëm operacional”, ka deklaruar ai.
Vergori foli edhe për rëndësinë e kalimit të përgjegjësive në jetën ushtarake, duke theksuar se shërbimi dhe detyra qëndrojnë mbi interesat personale.
Në ceremoni, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFC Naples), admirali George M. Wikoff, theksoi se misioni i KFOR-it mbetet i përqendruar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ai vlerësoi kontributin e pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët për më shumë se 27 vjet kanë shërbyer në vend, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e tij.
“Mandati është i qartë: të vendosë, të ofrojë dhe të ruajë një mjedis të sigurt në territorin e Kosovës, në mënyrë që të gjithë të mund të jetojnë në paqe. Për më shumë se 27 vjet, burrat dhe gratë nga mbi 31 shtete kanë shërbyer me krenari në kuadër të këtij mandati fisnik, me profesionalizëm dhe guxim. Për 27 vjet, ata janë përkushtuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha Wikoff.
Ai theksoi se pjesëtarët e KFOR-it kanë shërbyer larg familjeve të tyre për të kontribuar në një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës.
“Për 27 vjet, pjesëtarët e KFOR-it kanë shërbyer larg shtëpive të tyre dhe të ndarë nga familjet, për t’u siguruar njerëzve, të cilët shpesh nuk i kanë takuar kurrë, një jetë më të mirë. Mandati i KFOR-it është vërtet fisnik, sepse ata që shërbejnë në këtë mision i përkushtohen një qëllimi më të madh se vetja. Ata u shërbejnë të tjerëve”, deklaroi ai.
Wikoff foli edhe për zhvillimin e vazhdueshëm të misionit, duke theksuar synimin e NATO-s për rritjen e kapaciteteve të ndihmës humanitare dhe përdorimin sa më efikas të burimeve në dispozicion.
“Ky mision vazhdon të evoluojë, ndërsa NATO-ja synon të rrisë kapacitetet për ofrimin e ndihmës humanitare përmes një procesi të vazhdueshëm të optimizimit, duke maksimizuar efektivitetin e KFOR-it përmes integrimit dhe përdorimit sa më efikas të burimeve”, tha Wikoff.
Pula: Kosova synon avancimin e rrugës drejt NATO-s
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, falënderoi KFOR-in për rolin e tij në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend për më shumë se 27 vjet, si dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen në ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës.
Ajo theksoi se Kosova synon të avancojë rrugën drejt anëtarësimit në NATO, duke vënë në pah rëndësinë e Partneritetit për Paqe dhe bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë.
“Kur shikojmë këtë strategji, ne e shohim atë si një gur themeli për avancimin e rrugës sonë drejt anëtarësimit në NATO. Këtu Partneriteti për Paqe, korniza jonë e sofistikuar për anëtarësimin në NATO, e bën të qartë: ne synojmë që KFOR-i një ditë të mos jetë vetëm një siguri paqeruajtëse, por edhe një mjet i drejtpërdrejtë sigurie”, tha Pula.
Presidentja vlerësoi kontributin e KFOR-it ndër vite, duke theksuar se, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka ndërtuar dhe fuqizuar institucionet e saj të sigurisë.
“Një mision i cili prej më shumë se 27 vjetësh ka luajtur një rol të veçantë të ruajtjes së paqes, historia e Kosovës është në një pjesë të rëndësishme të saj. Përgjatë viteve, me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, kemi ndërtuar dhe fuqizuar institucionet tona të sigurisë, të cilat sot mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për reagim ndaj sfidave të sigurisë dhe për mbrojtjen e qytetarëve”, tha ajo.
Pula theksoi gjithashtu se Partneriteti për Paqe vazhdon të ketë rëndësi të veçantë për sigurinë dhe besimin e publikut.
“Përtej arkitekturës sonë të sigurisë, Partneriteti për Paqe vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë. Prania e tij, mandati dhe bashkëpunimi me institucionet globale kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme dhe në besimin publik”, u shpreh presidentja.
Ajo tha se Kosova mirëpret praninë e aleatëve, pjesëmarrjen në ushtrime të përbashkëta të sigurisë dhe angazhimin në misione ndërkombëtare, në përputhje me synimet e saj për anëtarësim në NATO.
“Për të simbolizuar këtë angazhim për paqen dhe sigurinë, ne mirëpresim praninë e aleatëve tanë, pjesëmarrjen në ushtrime të përbashkëta për sigurinë dhe misione ndërkombëtare, në përputhje me strategjinë dhe detyrimet tona si anëtar i ardhshëm i NATO-s”, tha Pula.
Ndërrimi i komandës shënon kalimin e udhëheqjes së misionit të KFOR-it nga gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş te gjeneralmajori italian Roberto Vergori, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s për ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

