Thursday, October 15, 2026
HomeLajmeKosovëMaqedonci rithekson synimin për anëtarësim në NATO në takimin me Burcu San

Maqedonci rithekson synimin për anëtarësim në NATO në takimin me Burcu San

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim zëvendës-ndihmësen e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Burcu San, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e sigurisë, sfidat aktuale dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci bëri të ditur se bashkëpunimi po zhvillohet përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të Aleancës.

Ai ritheksoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke theksuar se zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës po përafrohet me standardet e Aleancës përmes modernizimit të pajisjeve dhe trajnimit të personelit ushtarak, bazuar në doktrinat e vendeve partnere.

Sipas Maqedoncit, Burcu San shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës përmes misionit Interflex me Mbretërinë e Bashkuar dhe Koalicionit të Deminimit, në kuadër të trajnimit të trupave ukrainase.

Gjatë takimit, Maqedonci theksoi edhe rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë dhe zbatimit të Programit të Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse.

Ai i cilësoi këto si hapa të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, rritjes së qëndrueshmërisë shtetërore dhe përfshirjes së të gjithë shoqërisë në përballimin e sfidave të sigurisë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram