Wednesday, October 14, 2026
HomeLajmeKosovëPësojnë prindërit e bashkëshortët: Sulme me thikë e kërcënime brenda familjes në...

Pësojnë prindërit e bashkëshortët: Sulme me thikë e kërcënime brenda familjes në disa qytete të Kosovës

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në vende të ndryshme të Kosovës gjatë 13 tetorit, sipas raportit të fundit të Policisë së Kosovës. Rastet përfshijnë sulme fizike ndaj bashkëshortëve dhe prindërve, kërcënime dhe një rast të tentimit për sulm me thikë.

Në disa prej rasteve, të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

Në Drenas, rreth orës 20:00, është raportuar se një burrë ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshortja e tij. Të dy palët janë shoqëruar në stacion policor dhe, pas intervistimit në praninë e një zyrtari të Qendrës për Punë Sociale, janë liruar me vendim të prokurorit për të vazhduar procedura e rregullt.

Në Gjakovë, rreth orës 17:00, një burrë, i cili sapo ishte liruar nga ndalimi policor, dyshohet se e kishte telefonuar dhe kërcënuar bashkëshorten e tij. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Dy raste të tjera janë raportuar në Malishevë. Në rastin e parë, një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe djali i saj. Ajo ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në rastin tjetër, një burrë është arrestuar nën dyshimin se kishte tentuar t’i sulmonte me thikë prindërit e tij. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Shtërpcë, rreth orës 04:00, është raportuar se një burrë ishte sulmuar fizikisht nga djali i tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Përveç rasteve të dhunës në familje, Policia ka raportuar edhe për një rast të dhunimit në Vushtrri. Rasti është raportuar më 13 tetor, në orën 19:31. Viktima është intervistuar dhe, me urdhër të prokurorit, është dërguar për ekzaminim mjekësor. Deri në raportimin e Policisë, nuk ishte raportuar për persona të arrestuar, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram