Qeveria ka formuar grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në rastin e katërshes së UÇK-së.
Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, në rastin e katërshes së UÇK-së.
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar të padrejtë aktgjykimin e shkallës së parë, si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë moral, duke theksuar se institucionet po angazhohen për korrigjimin e tij në shkallën e Apelit.
Sipas Kurtit, grupi punues do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca dhe do të përfshijë përfaqësues institucionalë e parlamentarë, me synimin e bashkërendimit të mbështetjes juridike dhe institucionale gjatë procedurave të Apelit.
“Për këtë nevojitet një strategji shtetërore e kombëtare, si dhe një organizim që i tejkalon dallimet partiake”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se themelimi i grupit synon konkretizimin e angazhimit të Qeverisë për drejtësi dhe mbrojtjen e historisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e historisë së luftës së UÇK-së”, ka thënë Kurti.
Kurti kërkon strategji kombëtare për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel
Qeveria e Kosovës pritet të ndërmarrë hapa të rinj institucionalë për mbështetjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Gjatë mbledhjes së fundit të ekzekutivit, Kryeministri theksoi se institucionet do të angazhohen për një koordinim të plotë për fazën e apelit, duke paralajmëruar edhe një vendim të rëndësishëm nga ana e Qeverisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Qeveria do të marrë një vendim të rëndësishëm lidhur me mbështetjen për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në fazën e apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka theksuar se hapat e ardhshëm duhet të ndërmerren pas një analize të hollësishme të aktgjykimit, duke vlerësuar se për këtë proces nevojitet një strategji e mirëorganizuar.
“Qeveria do të vazhdojë, me mjetet që ka në dispozicion, t’i ndihmojë të akuzuarit në procesin e Apelit”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka kritikuar bazën mbi të cilën, sipas tij, është mbështetur aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Pasnesër bëhet një muaj nga aktgjykimi në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, i cili mbështetet mbi themele të pasakta, si nga pikëpamja historike, ashtu edhe nga ajo faktike”, ka thënë kryeministri.
Kurti ka nënvizuar se përgatitjet për fazën e apelit duhet të jenë të kujdesshme dhe të mbështeten në një vlerësim të plotë të vendimit gjyqësor.
“Duhet një strategji e mirë menduar dhe një analizë e thellë, që të veprojmë përpara. Në Apel na duhet suksesi. Sot do të marrim një vendim përkatës të rëndësishëm”, ka deklaruar ai.
Përtej zhvillimeve që ndërlidhen me proceset në Hagë, Kurti vuri në dukje edhe përmbylljen e procesit të konstituimit të institucioneve të vendit. Sipas tij, pas tejkalimit të ngatërresave politike, prioritet mbetet agjenda socio-ekonomike dhe shërbimet ndaj popullatës.
Sipas Kurtit, që nga janari i vitit 2025, Kosova është përballur me një periudhë të gjatë fushatash dhe bllokadash institucionale.
“Fillimisht kishte bllokadë në Kuvend, pastaj në Qeveri dhe, në fund, te Presidenti. Por, më në fund, kjo nyje u zgjidh”, ka thënë ai.
Kurti ka rikujtuar se javën e kaluar Kuvendi zgjodhi presidenten e shtatë të Kosovës, duke theksuar se ky proces shënon përmbylljen e konstituimit të plotë të institucioneve.
“Vendi ynë, pas shumë kohësh, ka kohën dhe mundësinë të merret me punë e projekte, zhvillim e punësim, si dhe t’i kthehet arsyes pse ekzistojnë shërbimet ndaj qytetarëve”, ka theksuar kryeministri.

