Deputeti i partisë serbe “Sloboda, Pravda, Opstanak”, Lazar Radulloviq, ka akuzuar Listën Serbe për përpjekje për ta penguar kandidaturën e tij për deputet dhe për presion ndaj tij, duke thënë se është përballur edhe me sulme fizike dhe dëmtim të veturës.
Në deklarimin jashtë pikave të rendit të ditës, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Radulloviq ka thënë se Lista Serbe ishte ankuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme, me qëllim të kundërshtimit të kandidaturës së tij.
Ai ka pretenduar se përpjekjet për ta penguar kandidaturën e tij lidhen me pamundësinë që, siç tha, Lista Serbe ta kontrollojë apo ta bindë atë të kalojë në radhët e saj.
Radulloviq ka përmendur edhe një rast nga një mandat i kaluar, kur deputeti Svetko Veljkoviq, sipas tij, ishte larguar nga grupi politik i Nenad Rashiqit dhe kishte kaluar në kampin e Listës Serbe.
“Ajo që është problem për ta është se me mua nuk mund të bëjnë pazare, nuk mund të më blejnë dhe nuk mund të më frikësojnë. Vendi ku unë ulem është i betonuar. Nuk ekziston mënyrë që ata ta blejnë apo ta marrin atë”, ka deklaruar Radulloviq.
Ai ka thënë se kohëve të fundit është përballur me probleme, përfshirë sulme fizike dhe shpimin e gomave të veturës, të cilat ia ka atribuuar veprimeve të kësaj organizate.
“E vetmja mënyrë që të më largoni nga ky vend është të qëlloni me armë dhe të mos jem më. Në asnjë mënyrë tjetër nuk do të mund ta zini këtë vend”, ka thënë Radulloviq, duke iu drejtuar deputetëve të Listës Serbe.
Në fjalën e tij, ai ka përmendur edhe politikanin e ndjerë serb Oliver Ivanoviq, duke iu referuar një interviste të tij të fundit, në të cilën, sipas Radulloviqit, kishte folur për rrezikun e një sulmi ndaj tij.
“Dhe ajo që i ndjeri Oliver Ivanoviq kishte thënë në intervistën e tij të fundit: ‘I kanë bërë të gjitha, vetëm ende nuk kanë qëlluar mbi mua, por nuk besoj se do ta bëjnë këtë’. Unë po ju them se edhe unë mendoj se i keni bërë të gjitha, por në fund besoj se mund të ndodhë edhe kjo, të qëlloni mbi mua. Nuk e kam fjalën për ju, sepse ju jeni thjesht ‘piunë të rëndomtë’ që rrini këtu dhe dëgjoni atë që ju vjen me mesazhe nga Beogradi dhe nga shefat tuaj në Kopaonik, por ajo organizata juaj kriminale është e gatshme për gjithçka”, tha tutje Radulloviq.
Ai tutje ka theksuar se Lista Serbe vepron nën ndikimin e Beogradit dhe duke e quajtur organizatë kriminale tha se ajo është e gatshme për gjithçka.
Pavarësisht pretendimeve për presion dhe kërcënime, ai ka thënë se nuk do të frikësohet dhe u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Listës Serbe të mos përpiqen më ta pengojnë përmes veprimeve që, sipas tij, nuk mund t’i arrijnë qëllimet e tyre.

