Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se rastet e fundit të kërcënimeve, dhunës dhe vrasjeve në Kosovë dëshmojnë për një problem shoqëror që kërkon reagim serioz nga institucionet dhe shoqëria.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, Lushaku-Sadriu tha se shteti duhet të reagojë fuqishëm, ndërsa Policia duhet t’i trajtojë me seriozitet kërcënimet dhe Prokuroria e Gjykata të veprojnë me kohë.
“Kjo gjendje kërkon reagim serioz, jo vetëm nga institucionet, por edhe nga e gjithë shoqëria”, tha ajo.
Tutje Lushaku-Sadriu theksoi se dhuna nuk fillon domosdoshmërisht me përdorimin e armëve, por shpesh nis me fyerje, kërcënime dhe përpjekje për ta frikësuar apo nënshtruar tjetrin.
“Dhuna nuk fillon gjithmonë me armë. Gjithmonë fillon me fjalë, me fyerje, me kërcënime, me përpjekje për ta frikësuar dhe nënshtruar tjetrin. Fillon kur dikush mendon se ka të drejtë ta kontrollojë gruan, ta kontrollojë një familjar, apo ta heshtë dikë që mendon ndryshe”, ka deklaruar ajo.

