Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në kuadër të autorizimeve ligjore ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kontrollimi i kundërligjshëm”.
Sipas njoftimit, rekomandimi për suspendim është dhënë sot pas ndërmarrjes së disa veprimeve fillestare hetimore,
“Rasti raportohet të ketë ndodhur më 15 tetor 2026 pas mesnatës, në afërsi të rreth rrotullimit në lagjen Lakërishte në Prishtinë. Sipas pretendimeve të ankueses, deri sa e njëjta ishte duke drejtuar veturën, ajo ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë, të cilët më pas i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual”, thuhet n
Lidhur me rastin, me udhëzim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedura penale për veprat e dyshuara, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt dhe në përputhje me procedurat ligjore.
Për të ndriçuar plotësisht rrethanat e këtij rasti dhe për të sqaruar pretendimet e ngritura, IPK do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.
Në rastin tjetër IPK ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, më 15 tetor 2026 rreth orës 23:00 në Gjilan, zyrtarët policorë dyshohet se kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur në veturën zyrtare, ku pretendohet se ndaj tij është ushtruar abuzim verbal dhe i është cenuar privatësia, përfshirë marrjen e telefonit të tij pa urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Dyshimet fillestare sugjerojnë se veprimet e pretenduara mund të kenë ndërlidhje me një ankesë të parashtruar nga i njëjti qytetar në korrik të vitit 2026, ndaj zyrtarëve policorë në fjalë nën dyshimin për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore.
Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit ligjor për hetimin e dyshimeve për veprime të kundërligjshme nga zyrtarët policorë, me qëllim të garantimit të llogaridhënies dhe fuqizimit të integritetit policor.

