Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se Irani dhe Rusia nuk kanë bashkëpunuar kurrë kaq ngushtë sa tani, pasi priti homologun e tij rus Sergey Lavrov në Teheran.Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Moska po kërkon të marrë rolin e ndërmjetësit në luftën në Lindjen e Mesme.
Lavrov mbërriti në Iran të hënën, vizita e tij e parë në vend që nga shpërthimi i konfliktit.
“Ne biseduam për gjithçka, nga Evropa në Azinë Perëndimore, duke përfshirë Libanin, Palestinën, Ukrainën dhe Jemenin. Gjithashtu u përqendruam në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe bërthamor. Asnjëherë në historinë tonë, Irani dhe Rusia nuk kanë bashkëpunuar kaq ngushtë sa tani”, shkroi Araghchi në rrjetin X.
Përpara vizitës, Lavrov tha se përpjekjet e Moskës synojnë parandalimin e rikthimit të një lufte në shkallë të gjerë, në një kohë kur negociatat midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë në ngërç.
Vizita erdhi pasi presidenti rus Vladimir Putin i tha presidentit iranian Masoud Pezeshkian këtë muaj se Moska ishte gati të kontribuonte në përpjekjet e ndërmjetësimit.
Ministria e Jashtme ruse tha para vizitës se bisedimet pritej të përqendroheshin në “mënyrat për të zgjidhur krizën akute ndërkombëtare të shkaktuar nga agresioni i paligjshëm i SHBA-së dhe Izraelit” ndaj Iranit. Ministria deklaroi se lufta ishte një goditje për stabilitetin dhe sigurinë “jo vetëm në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, por edhe në një nivel global”.
Rusia dhe Irani, dy nga vendet më të sanksionuara në botë, mbajnë marrëdhënie të ngushta.

