Wednesday, October 21, 2026
HomeLajmeKosovëInspektorati Shëndetësor konstatoi shkelje serioze në Spitalin Amerikan 2

Inspektorati Shëndetësor konstatoi shkelje serioze në Spitalin Amerikan 2

Një foshnjë e dorëzuar gabimisht te nëna, një infermiere pa licencë dhe mangësi në procedurat e identifikimit të të porsalindurve.

Këto ishin disa nga shkeljet e konstatuara nga Inspektorati Shëndetësor pas ngjarjes së marsit në Spitalin Amerikan 2 në Graçanicë. Por tashmë, nën shqyrtim është edhe mënyra se si vetë Inspektorati e trajtoi rastin.

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar për RTK-në se janë evidentuar mangësi në veprimet e zyrtarëve të saj.

 “Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar. Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim, ndërsa përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor, vërejtje me gojë”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.

Këto masa vijnë pasi Inspektorati, ndonëse kishte konstatuar shkelje, ndaj spitalit kishte shqiptuar vetëm vërejtje me shkrim.

Ekspertja e politikave shëndetësore, Saranda Ramaj, thotë se rasti dëshmon dështim të mekanizmave të sigurisë brenda spitalit.

 “Kjo çka ka ndodhë në Spitalin Amerikan, edhe që e ka konstatu edhe vetë Inspektorati në gjetjet dhe rekomandimet për Spitalin Amerikan, është një dështim strukturor në standardet e sigurisë që do të duhej të ishin thelbësore. Hallka e fundit e sigurisë nuk duhet t’i takojë kurrë familjes, por spitalit, gjë që ka dështuar në këtë rast”, ka thënë Ramaj.

Përgjegjësi për rastin ka kërkuar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke deklaruar se nuk do të ketë tolerime për asnjë lëshim.

“Asnjë lëshim. I inkurajoj qytetarët e qytetaret e Republikës së Kosovës që përveç kur lajmërojnë inspektoratin dhe mund të jenë të pakënaqur me vendimin e inspektoratit, ose kanë ndonjë problematikë tjetër, t’i drejtohen edhe Ministrisë së Shëndetësisë…”, ka thënë Vitia.

Sipas dokumenteve të Inspektoratit, të publikuara në medie, ngjarja kishte ndodhur më 18 dhe 19 mars. Foshnja ishte marrë nga personeli gjatë natës, ndërsa të nesërmen nënës i ishte dorëzuar një foshnjë tjetër. Ngatërrimi ishte zbuluar vetëm pas insistimit të prindërve dhe verifikimit të fotografive e shiritit identifikues. Inspektimi kishte konstatuar gjithashtu se infermierja që dorëzoi foshnjën ishte pa licencë. Asaj i ishte ndaluar ushtrimi i veprimtarisë deri në licencim, ndërsa spitali ishte ndëshkuar vetëm me vërejtje me shkrim.

Ndërkohë, edhe Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë ka pranuar dokumentacionin për shqyrtimin e përgjegjësisë profesionale të personelit të përfshirë.

“Dokumentacionin lidhur me këtë rast e kemi pranuar sot nga Inspektorati Shëndetësor. Rasti do të trajtohet në përputhje me kompetencat ligjore të Odës dhe procedurat në fuqi për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me etikën dhe përgjegjësinë profesionale” kanë thënë nga Oda e Infermierëve.

RTK mëson se gjatë kësaj jave pritet të mblidhet kolegjiumi i Odës për shqyrtimin e rastit. Ndërkaq, familja që kishte paraqitur ankesën, ka konfirmuar për RTK-në se ende nuk e ka pranuar dokumentacionin zyrtar të Inspektoratit.

“Në Spitalin Amerikan 2, një nëne iu dorëzua foshnja e gabuar. Ngatërrimi u zbulua vetëm pas insistimit të prindërve, ndërsa inspektimi evidentoi edhe shkelje të tjera. Nga drejtuesit e spitalit kemi kërkuar sqarime, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”, kanë thënë familja”

Ndërsa priten rezultatet e procedurave disiplinore dhe profesionale, mbetet e paqartë nëse masa fillestare ndaj spitalit ishte në përputhje me shkeljet e konstatuara dhe legjislacionin në fuqi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram