Sunday, October 25, 2026
HomeLajmeKosovëMustafa kërkon hetime për shitjen e pronës shtetërore me 4 euro për...

Mustafa kërkon hetime për shitjen e pronës shtetërore me 4 euro për metër katror

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka kërkuar nga prokurorët e shtetit që të nisin hetimet lidhur me shitjen e pronës shtetërore për 4 euro për metër katror.

Në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, Mustafa tha se, sipas tij, AKP-ja është shndërruar nga agjenci e pavarur në agjenci ekzekutive, ndërsa kritikoi shitjen e pronës shtetërore me çmime që i konsideroi tepër të ulëta.

“Me shpresën që do të dëgjojë dikush, lus prokurorët e shtetit të Kosovës që të fillojnë hetimet në këto raste: 4 euro metra katror në Kosovë nuk mundesh me e blerë kërkund, ndërsa kjo qeveri, duke shndërruar një agjencion të pavarur, pra AKP-në, në një agjencion ekzekutiv të cilën e menaxhojnë e e kontrollojnë vetë ashtu siç kanë dëshirë, përveç që nuk i ka ndalur privatizimet, tanimë ka filluar t’i falë ato 4 euro metra katror”, deklaroi Mustafa.

Ai e krahasoi çmimin e pronës shtetërore me çmimet e banesave në Prishtinë, duke thënë se një banesë prej 70 metrash katrorë kushton rreth 100 mijë euro.

Mustafa kritikoi, siç tha, praktikat e tenderëve njëburimorë, të cilat i cilësoi si tenderë “në katër sy”, duke pretenduar se përmes tyre janë shpenzuar qindra miliona euro të buxhetit të shtetit pa procese konkurruese.

“Ju kujtohet këtu, me vite të tëra kemi ngritur çështjen e tenderëve – tenderëve njëburimorë apo po të thoshim pak më shqip tenderëve ‘në katër sy’, ku u shpenzuan, u dhanë qindra e qindra miliona euro buxhet të shtetit në tenderë ‘në katër sy’, ku ministrat dhe përfaqësues të organeve shtetërore uleshin me shokët e tyre, me sponsorët e partisë së tyre ‘në katër sy’ për të shpërndarë buxhet pa asnjë proces konkurrues”, u shpreh deputeti i LDK-së.

Në fjalimin e tij, Mustafa foli edhe për rritjen e çmimeve dhe vështirësitë financiare të familjeve në Kosovë, duke thënë se inflacioni ka rënduar buxhetet familjare.

“Të gjithë jemi dëshmitarë për inflacionin e tmerrshëm që kemi përjetuar në këto vitet e fundit në Republikën e Kosovës. Nuk ka familje kosovare – mund ta them 99% e familjeve kosovare – detyrohen që çdo muaj të ulen e të diskutojnë rreth buxhetit familjar, rreth të hyrave mujore që nuk po i mbulojnë shpenzimet”, deklaroi ai.

Në fund, Mustafa u bëri thirrje deputetëve që të mbikëqyrin më nga afër punën e ministrave dhe institucioneve që raportojnë në komisionet parlamentare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram