Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, Dega Kukës, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të poetit, gazetarit dhe intelektualit kuksian, Izet Duraku.
Në mesazhin e ngushëllimit, Unioni e cilëson Durakun një zë të veçantë të poezisë dhe publicistikës shqiptare, i cili la gjurmë në jetën kulturore dhe mediatike të vendit.
“Izet Duraku ishte një njeri i fjalës, i kulturës dhe i përkushtimit qytetar”, thuhet në mesazh, ku veçohen krijimtaria e tij letrare, puna si gazetar dhe drejtimi i Radio Kukësit dhe Radio Tiranës.
Unioni i Gazetarëve vlerëson veçanërisht kontributin e tij në Radio Kukësi gjatë viteve të vështira për Kosovën, duke e cilësuar atë pjesë të një angazhimi të rëndësishëm në shërbim të gjuhës shqipe, çështjes kombëtare dhe lirisë.
“Ikja e tij është një humbje e ndjeshme për gazetarinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare, e veçanërisht për Kukësin, të cilit i kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së tij”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Në fund, Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë, Dega Kukës, i ka shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet më të thella familjes Duraku, duke theksuar se fjala e shkruar, vargu poetik dhe vepra e tij do të mbeten dëshmi e përkushtimit ndaj kulturës, gazetarisë dhe kombit.
“U prehsh në paqe, Izet Duraku! Kujtimi dhe vepra jote qofshin të përjetshme!”, përfundon mesazhi i ngushëllimit.

